Ambasadori i Francës në Kosovë, Oliver Guerot, ka deklaruar se nuk ka koment për pretendimet e deputetit të Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, i cili tha se vizitat e disa ambasadorëve mund të dëmtojnë funksionimin e Gjykata Kushtetuese.
“Nuk kam asnjë koment. Faleminderit. Dhe të mos kesh një koment, është një koment,” tha Guerot në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve.
Ndërkaq, i pyetur për takimin e tij me kryeministrin Albin Kurti të premten, pas shpalljes së dekretit për shpërndarjen e Kuvendit nga presidentja Vjosa Osmani, ambasadori u shpreh se detajet e diskutimeve do t’i mbajë për vete.
Këto komente, Guerot i bëri pas një ngjarje që pati me komunën e Prishtina, ku u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi për mbrojtjen e grave që janë viktima të dhunës.
Deputeti Rrustemi u ka bërë thirrje disa ambasadorëve që të mos ndërhyjnë në punën e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Në një shkrim në Facebook ai ka deklaruar se ndërhyrjet e mundshme përmes vizitave apo takimeve mund të dëmtojnë rëndë institucionin më të lartë kushtetues në vend.
Gjykata Kushtetuese aktualisht po shqyrton ankesën e Vetëvendosjes për dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarje të Kuvendit.
Më 9 mars, Kushtetuesja vendosi masë të përkohshme deri më 31 mars, periudhë gjatë së cilës presidentja nuk mund të shpallë zgjedhje të reja, ndërsa Kuvendi i Kosovës nuk mund të zhvillojë aktivitetin e tij. /Telegrafi/