Thomas Tuchel ka dhënë një vlerësim të ashpër për Phil Foden, duke sugjeruar se “nuk është e garantuar që ai do të vijë” në Kupën e Botës.
Vështirësitë e Fodenit me fanellën e Anglisë janë dokumentuar mirë në vitet e fundit, me yllin e Manchester City që nuk ka arritur të riprodhojë formën e tij nga klubi kur bashkohet me kombëtaren.
Pavarësisht se startoi në të dy miqësoret e Anglisë gjatë pauzës ndërkombëtare të marsit, kundër Uruguait dhe Japonisë, përzgjedhësi gjerman Tuchel duket larg të qenit i bindur.
Foden, i cili startoi në humbjen 1-0 ndaj Japonisë më 31 mars, është ndër lojtarët që po luftojnë për pozitën e numrit 10 para Kupës së Botës, së bashku me Cole Palmer, Morgan Rogers dhe Jude Bellingham.
Mbrëmë, Foden kishte numrin më të vogël të prekjeve nga të gjithë titullarët e Anglisë, duke dështuar gjithashtu të ketë ndikim pozitiv në fazën sulmuese.
Paraqitjet e dobëta së fundmi e shtynë Tuchelin të flasë për formën e tij, me gjermanin që madje la të kuptohet se ai mund të mos përfshihet në listën prej 26 lojtarësh për Kupën e Botës.
I pyetur nëse do të merrte lojtarë që nuk janë në formë në Kupën e Botës, Tuchel tha se në rastin e Foden nuk e ka të garantuar që do të ftohet.
“Unë mundem, por pyetja është nëse do ta bëjmë. Nuk është e garantuar që ai do të vijë. Siç e thashë, ne nuk do të heqim dorë nga ëndrra jonë apo nga pyetja ‘Pse jo?’”.
“Tani gjëja më e rëndësishme është që lojtarët të rikthehen te klubet e tyre, të kenë një fund të mirë të sezonit, dhe më pas të bashkohen me ne në fazën përgatitore, në mënyrë që t’i përgatisim siç duhet dhe të ndërmarrim hapat e radhës”, ka deklaruar ai.
Anglia rikthehet në aksion kundër Zelandës së Re më 6 qershor. Rrugëtimi i “Tre Luanëve” në Kupën e Botës nis më 17 qershor kundër Kroacisë./Telegrafi/