Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se është i gatshëm të ofrojë “garanci” për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjatë mbledhjes së parë të Bordit të Paqes.
Duke folur për përpjekjet për parandalimin e luftërave në botë, Trump iu drejtua presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me fjalët: “Nëse nuk ia dilni, më thirrni dhe ne do ta zgjidhim”.
“Shembull, Kosovë-Serbi, e kam bërë këtë. A mund të ngriteni ju lutem? Kosova-Serbia. Ju vlerësojmë. Dhe po ia dilni, e kur nuk ia dilni, më thirrni e ne do ta zgjidhim”, u shpreh Trump para të pranishmëve.
Në të njëjtën mbledhje, ai e cilësoi Iranin si çështjen më të rëndësishme aktuale në politikën e jashtme amerikane, duke theksuar se shpreson në arritjen e një marrëveshjeje me Teheranin.
Gjatë takimit u bë e ditur se Kosova është në mesin e pesë shteteve të para që janë zotuar të dërgojnë trupa paqeruajtëse në kuadër të një force të përbashkët ndërkombëtare për sigurinë në Rripi i Gazës.
Presidentja Osmani nuk pati të drejtë fjale në këtë mbledhje, ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shfrytëzoi fjalën për të kërkuar nga SHBA-ja lëvizje lidhur me të akuzuarit që po gjykohen për krime lufte në Hagë.
Në kuadër të iniciativës për Gazën, u bë e ditur edhe ndarja e disa miliarda dollarëve për të ndihmuar në rindërtimin e territorit pas luftës, si pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për stabilizim dhe rikuperim afatgjatë.