Komentet e Donald Trump për media të ndryshme ndërkombëtare kanë vazhduar edhe gjatë ditës dhe mbrëmjes të së dielës.
Duke folur për median australiane ABC News, presidenti amerikan tha se pret që qeveria iraniane të arrijë një marrëveshje brenda “ditëve, jo javësh”.
“Nëse ndodh, ndodh. Dhe nëse nuk ndodh, ne do ta hedhim në erë të gjithë vendin”, ka thënë Trump.
“Ne do ta hedhim në erë, siç thashë, do të jetë dita e urës dhe do të jetë dita e termocentralit në vendin e Iranit”.
Trump tha se “shumë pak” është “jashtë kufijve” nëse nuk arrihet asnjë marrëveshje.
I pyetur nëse kjo do të thotë se objektivat do të përfshijnë infrastrukturën civile, Trump u përgjigj: “Nuk dua të flas për këtë”.
Ndërsa kur u pyet nëse do ta zgjasë afatin për t’i dhënë Iranit më shumë kohë për të arritur një marrëveshje paqeje, Trump tha: “Ata kanë shumë kohë për të arritur një marrëveshje”.
“Ata nuk duan të bëjnë një marrëveshje; i gjithë vendi i tyre është shkatërruar”, ka shtuar ai.
Këto deklarata të tij vijnë pasi ai tha se beson se ka një “shans të mirë” për të arritur një marrëveshje me Iranin të hënën.
Dhe një gjë e tillë pritet të ndodhë përpara afatit të tij që Teherani të rihapë Ngushticën e Hormuzit ose të përballet me bombardime të rënda.
“Mendoj se ka një shans të mirë nesër, ata po negociojnë tani”, i tha presidenti një gazetari të Fox News, përcjell Telegrafi.
“Nëse ata nuk arrijnë një marrëveshje dhe shpejt, po mendoj ta hedh në erë gjithçka dhe të marr naftën”, shtoi ai.
Më herët të dielën, Trump tha në një postim në rrjetet sociale me fjalë të ashpra se SHBA-të do të synojnë termocentralet dhe urat e Iranit të martën nëse Ngushtica e Hormuzit nuk rihapet. /Telegrafi/