Udhëheqësit e SHBA-së dhe Kanadasë reaguan ndaj lëshimit të Artemis II gjatë natës mes të mërkurës dhe enjtes.
“Ishte diçka e jashtëzakonshme”, tha Donald Trump gjatë një fjalimi në Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar se misioni ishte “i mrekullueshëm”.
“Ata janë në rrugë e sipër dhe Zoti i bekoftë. Këta janë njerëz të guximshëm. Zoti i bekoftë këta katër astronautë”, shtoi presidenti amerikan, transmeton Telegrafi
Në një video të mëparshme të postuar në X nga llogaria e Shtëpisë së Bardhë, Trump tha: “Është fati i Amerikës të jetë në ballë të kërkimit të përjetshëm të njerëzimit për dije dhe të jetë lider midis kombeve në aventurën tonë drejt të panjohurës së madhe”.
“Ne jemi një komb pionierësh dhe kufiri i madh amerikan i ardhshëm është hapësira dhe nuk e kemi përfunduar kurrë, por tani po fillojmë përsëri”, shtoi ai.
Në deklaratën e tij, kryeministri i Kanadasë Mark Carney tha: “Sot, astronauti i Agjencisë Hapësinore Kanadeze, koloneli Jeremy Hansen, bën histori si kanadezi i parë që guxoi të udhëtojë në hënë”.
“Me Artemis II, Kanadaja bëhet vetëm kombi i dytë në Tokë që dërgon një astronaut në një mision hënor. Kjo arritje e jashtëzakonshme është një dëshmi e aftësisë së jashtëzakonshme të kolonel Hansen dhe e dekadave të disiplinës, përkushtimit dhe këmbënguljes që e sollën atë në këtë moment”, shtoi ai.
“Është gjithashtu një dëshmi e Kanadasë dhe shkencës sonë të klasit botëror, teknologjisë sonë të përparuar dhe astronautëve tanë të shquar”, tha për fund kryeministri kanadez. /Telegrafi/