Prona dhe biznese të grave kanë qenë cak i dy sulmeve dhe veprimeve të rrezikshme për sa i përket sigurisë në Kosovë, në Prishtinë e Podujevë.
Në rastin e parë, disa persona të panjohur, siç thotë policia, kanë hedhur mjet shpërthyes në shtëpinë e një viktime grua, në fshatin Sfeqël, dy orë pas mesnatës.
“Fshati Sfeqël, Podujevë /11.03.2026-02:21. Është raportuar se person-a të panjohur kanë hedhur mjet shpërthyes në shtëpinë e viktimës femër kosovare. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori”, thuhet në raport.
Një rast tjetër është raportuar të ketë ndodhur të mërkurën rreth orës 21:00 në rrugën “Gracie Lorka”, në Prishtinë ku lokali i disa grave është përfshirë nga zjarri i cili dyshohet se është kryer në mënyrë të qëllimshme.
“Rr. Garcie Lorka, Prishtinë/ 11.03.2026 – 21:00. Është raportuar se lokali i viktimave femra kosovare është përfshirë nga zjarri i cili dyshohet se është shkaktuar në mënyrë të qëllimshme. Zjarri është lokalizuar, ndërsa rasti në procedurë hetimore”, thuhet në raportin 24 orësh. /Telegrafi/