Kampionia dhe fituesja në fuqi e Kupës së Kosovës në basketboll, Trepça, vazhdon të jetë e pandalshme në elitën kosovare. Të dielën mbrëma në palestrën “13 Qershori” në Suharekë, mitrovicasit fituan bindshëm ndaj Golden Eagle Yllit me rezultatin 91:80.
Fitorja e radhës është e 17-ta rresht për Trepçën në Superligë, duke konfirmuar dominimin e tyre në këtë sezon. Vetëm çereku i dytë ishte i barabartë dhe përfundoi 22:22, ndërsa periudha e parë përfundoi 44:41 për Trepçën.
Në çerekun e tretë, mitrovicasit arritën 26:20, ndërsa në dhjetëminutëshin e fundit ruajtën epërsinë dhe administruan lojën për të mos lejuar befasi.
Akili Vining shënoi 22 pikë, mori katër kërcime dhe dha tri asistime. Ja’cori Payne shtoi 18 pikë në fitoren e ekipit. Dardan Kapiti kontribuoi me 13 pikë.
Tek Golden Eagle Ylli, Tyreek Smith u dallua me 22 pikë dhe tri asistime, por nuk mjaftuan për ta shmangur humbjen.
Pas 25 xhirove, Trepça kryeson tabelën me 47 pikë, me 22 fitore dhe vetëm tri humbje, ndërsa Golden Eagle Ylli renditet i pesti me 36 pikë, 11 fitore dhe 14 humbje.
Me këtë fitore, Trepça e forcon pozicionin e saj si pretendente kryesore për titullin edhe këtë sezon dhe vazhdon serinë e jashtëzakonshme fitoreve në Superligë. /Telegrafi/