Trepça ka triumfuar në finalen e Kupës me rezultat të thellë 91:72, duke konfirmuar dominimin në basketbollin kosovar dhe duke e ngritur nëntë herë këtë trofe.
Finalja e zhvilluar në Rahovec nisi e baraspeshuar. Bashkimi e mbylli çerekun e parë në epërsi 19:16, ndërsa mitrovicasit reaguan në të dytin me 27:22 për të shkuar në pushim me avantazh minimal 43:41.
Ndeshja u vendos në çerekun e tretë. Skuadra e drejtuar nga Adis Beqiragiq dominoi plotësisht këtë periudhë me rezultat 22:12, duke krijuar diferencë të sigurt (65:53) para 10 minutave të fundit.
Çereku i katërt ishte formalitet, me “Xehetarët” që ruajtën epërsi rreth 20 pikë deri në fund për fitore bindëse.
Mustapha Amzil ishte më i dalluari te Trepça me 22 pikë e 12 kërcime, ndërsa Akili Vining shtoi 20 pikë dhe gjashtë asistime.
Ja’Cori Payne kontribuoi me 13 pikë e 10 asistime. Te Bashkimi u veçua Lejson Zeqiri me 19 pikë, ndërsa Ike Nëamu realizoi 16 pikë e shtatë kërcime.
Për Trepçën ky është trofeu i 20-të në basketbollin kosovar, ndërsa Bashkimi mbetet me një Kupë të fituar në vitin 2001 dhe humb finalen për herë të nëntë.
Mitrovicasit tashmë konsiderohen favoritë të mëdhenj edhe në garën për titullin kampion.
Palestra në Rahovec ishte e mbushur me tifozë të të dyja skuadrave, pa incidente të regjistruara./Telegrafi/