Trepça po hyn në play-off si skuadra më në formë në Superligën e Kosovës në basketboll, duke konfirmuar dominimin e saj në fazën e rregullt.
“Xehetarët” regjistruan fitoren e 18-të radhazi, pasi të shtunën mbrëma në “Minatori” mposhtën Borën me rezultat bindës 79:64, në kuadër të xhiros së 26-të.
Skuadra nga Mitrovica nuk ka njohur humbje që nga 7 dhjetori, kur u ndal nga Vëllaznimi, ndërsa prej atëherë ka ndërtuar një seri mbresëlënëse që e mban në krye të tabelës me 49 pikë. Nga ky pozicion, Trepça do ta nisë garën në gjysmëfinale të play-offit.
Në anën tjetër, Bora do të duhet të kalojë fillimisht nëpër çerekfinale, duke startuar nga vendi i tretë.
Ndeshja në Mitrovicë foli që në fillim për vendasit, të cilët e kontrolluan ritmin dhe rezultatin pa hasur në shumë vështirësi.
Sek Henry ishte më efikasi te Trepça me 13 pikë, pesë kërcime dhe katër asistime, ndërsa Drilon Hajrizi shtoi 12 pikë, shtatë kërcime dhe dy asistime.
Te Bora u veçua Shaquan Jules me paraqitje të fuqishme prej 20 pikësh dhe 16 kërcimesh, por që nuk mjaftuan për të shmangur humbjen./Telegrafi/