Balluket që po i kërkojnë të gjitha gratë: Ju bëjnë më të re pa tharëse dhe pa mundim
Të lehta, elegante dhe natyrale, wispy balluket freskojnë fytyrën menjëherë, kërkojnë pak mirëmbajtje dhe përshtaten pothuajse me çdo formë fytyre
Nëse prej kohësh po mendoni për një ndryshim të modelit të flokëve, por ju lodh ideja që çdo mëngjes të qëndroni para pasqyrës me tharësen në dorë, ekziston një trend që e zgjidh pikërisht këtë problem. Pa shumë mundim, pa stilizim të përsosur dhe pa atë ndjenjën se flokët duhet të jenë në vendin e tyre perfekt që të duken bukur.
Bëhet fjalë për wispy balluket, të holla, të lehta dhe qëllimisht jo perfekte. Pikërisht për këtë arsye janë kudo tani.
Balluke që nuk kërkojnë disiplinë, por rehati
Ndryshe nga balluket klasike dhe të dendura që kërkojnë saktësi dhe rregullim të përditshëm, varianti wispy ndjek një rrugë krejt tjetër. Nuk e mbulojnë plotësisht ballin, por vetëm e prekin lehtë, duke krijuar efekt butësie dhe freskie në fytyrë.
Është ai lloj ndryshimi që vërehet menjëherë, por nuk duket sikur jeni munduar tepër.
Prandaj shumë njerëz i përshkruajnë si mënyra më e lehtë për ta freskuar pamjen pa prerje drastike. Duken moderne, por jo të ashpra, femërore, por pa përpjekje. Dhe më e rëndësishmja, duken bukur edhe kur nuk janë të rregulluara në mënyrë të përkryer, transmeton Telegrafi.
Pse papritur të gjithë kanë filluar t’i mbajnë
Ky stil nuk u krijua brenda natës. Për një kohë të gjatë ka qenë pjesë e skenës koreane të bukurisë, ku prej vitesh vlerësohet pamja natyrale dhe flokët që nuk “vuajnë” për t’u dukur bukur.
Tani këtë stil e kanë përvetësuar edhe gratë e njohura që diktojnë trendet, nga Jenna Ortega te Selena Gomez, Camila Cabello, Zoë Kravitz dhe Suki Waterhouse. Secila i mban ndryshe, por efekti është i njëjtë: fytyra duket më e butë, më e re dhe më e relaksuar.
Ky është edhe shkaku pse kanë shpërthyer në rrjetet sociale. Nuk duken si trend që zgjat vetëm një sezon, por si diçka që përshtatet lehtë me jetën e përditshme.
Model flokësh që ju kursen kohë, jo pamjen
Përparësia më e madhe e wispy ballukeve është se nuk kërkojnë disiplinë. Nuk duhet t’i thani me tharëse çdo mëngjes, nuk duhet t’i rregulloni vazhdimisht dhe nuk duhet të shqetësoheni nëse bien paksa.
Pikërisht ajo pamje e tyre paksa e çrregullt punon në favorin tuaj.
Mund të mbahen të ndara, lehtë të shpupuritura ose krejtësisht të drejta, varësisht nga disponimi. Nëse dëshironi efekt më të rregullt, mjafton tharësja dhe një furçë e rrumbullakët. Nëse nuk keni kohë, mjaftojnë gishtat dhe pak sprej për teksturë.
Dhe kjo është thelbi i këtij trendi.
Nuk kërkon ta ndryshoni rutinën, por ta thjeshtoni atë.
Ndryshim që nuk duket si obligim
Ndryshe nga balluket më serioze që kërkojnë mirëmbajtje të vazhdueshme dhe shpejt bëhen të lodhshme, versioni wispy lë hapësirë për gabime. Rriten natyrshëm, nuk krijojnë atë periudhë kritike kur nuk dini çfarë të bëni me to dhe nuk ju detyrojnë në stilizim të përditshëm.
Prandaj shumë njerëz i zgjedhin si hap të parë të sigurt kur duan ndryshim. Sepse japin efekt, pa kërkuar sakrificë. Dhe ndoshta pikërisht ky është arsyeja pse janë bërë modeli më i kërkuar i flokëve këtë pranverë. /Telegrafi/