Sot pasdite më 15.02.2026, në rrugën Prishtinë–Podujevë kanë ndodhur dy aksidente trafiku brenda pak orësh, ku janë përfshirë automjete dhe janë raportuar persona të lënduar.
Rasti i parë u regjistrua rreth orës 17:00 dhe i përfshirë ishte vetëm një automjet.
Sipas Flora Ahmetit, zëdhënëse e Policisë për Rajonin e Prishtinës, një person u lëndua dhe është dërguar për tretman mjekësor.
“Sot rreth orës 17:00 jemi njoftuar për një aksident në rrugën Prishtinë-Podujevë, ku është përfshirë një automjet. Në aksident është lënduar një person i cili është dërguar për tretman mjekësor. Me rastin po merret njësiti i trafikut rajonal”, tha Ahmeti.
Më pas, rreth orës 18:20, në afërsi të Lluzhanit, ndodhi një aksident tjetër ku u përfshinë dy automjete.
“Rreth orës 18:20 në rrugën Prishtinë-Podujevë (Lluzhan) ka ndodhur një aksident trafiku ku janë përfshirë dy automjete. Personat e lënduar janë dërguar për tretman mjekësor ndërkohë që me rastin po merret njësiti i trafikut rajonal”, konfirmoi Flora Ahmeti.
Të dy rastet janë duke u hetuar nga njësitet rajonale të trafikut për të sqaruar shkaqet e aksidenteve.