Presidenti amerikan, Donald Trump e ka sulmuar ashpër NATO-n dhe aleatët lidhur me luftën në Iran dhe situatën në Ngushticën e Hormuzit, duke theksuar se pa SHBA-në, aleanca nuk ka fuqi reale.
“Pa SHBA-në, NATO është një tigër prej letre! Ata nuk donin të merrnin pjesë në betejë për të ndaluar Iranin me armë bërthamore. Tani që kjo betejë është fituar ushtarakisht, me rrezik shumë të vogël për ta, ata ankohen për çmimet e larta të naftës që detyrohen të paguajnë, por nuk duan të ndihmojnë për të hapur ngushticën e Hormuzit. Ky është një manovër i thjeshtë ushtarak. Frikacakë, dhe ne do ta mbajmë mend këtë”, shkroi Trump në rrjetin social Truth Social.
Analisti amerikan, David Blevins vlerëson se pas mesazhit të liderin amerikan qëndrojnë disa arsye strategjike dhe politike.
“Donald Trump ndoshta po përpiqet tani të gjejë një rrugëdalje dhe të transferojë problemin e ngushticës së Hormuzit tek aleatët e NATO-s”, tha ai për skynews.
“Nëse e analizojmë shkurt, nga pikëpamja strategjike… mendoj se bëhet fjalë për tre gjëra. Së pari, ai përpiqet të ushtrojë presion mbi aleatët që të mbrojnë lundrimin përmes ngushticës, ndërsa kërkon një mënyrë për të dalë nga kjo luftë”, shpjegoi ai.
“Së dyti, me këtë thekson edhe më tej tezën e tij shumëvjeçare se Amerika bart barrën më të madhe brenda NATO-s”, pohoi amerikani dhe vazhdoi “Dhe së treti, ka edhe një aspekt të brendshëm – ai dëshiron që votuesit në SHBA të dëgjojnë mesazhin se Amerika punon shumë”.
Deklaratat e Trumpit vijnë në një kohë kur aleatët janë të ndarë mbi rolin ushtarak në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët kryesore botërore për transportin e naftës, ndërsa lufta me Iranin ka hyrë në javën e tretë. /Telegrafi/