Një kombinim i ri topikal me tre përbërës tregon rezultate më të mira në rritjen e flokëve, me më pak efekte anësore, sipas studimeve të fundit
Shkencëtarët mund të kenë gjetur një trajtim kundër rënies së flokëve që funksionon më mirë se ilaçet kryesore që përdoren aktualisht.
Çelësi qëndron te fakti se nuk bëhet fjalë për një ilaç të vetëm, por për tre dhe duket se funksionojnë më mirë kur përdoren së bashku.
Rreth 80 milionë amerikanë, 50 milionë burra dhe 30 milionë gra, përjetojnë një formë të alopecisë, megjithëse ajo prek ndryshe gratë dhe burrat.
Sipas NYU Langone, më shumë se 80% e burrave dhe pothuajse gjysma e grave përballen me rënie të flokëve në një moment të jetës. Aktualisht, ekzistojnë vetëm dy trajtime të miratuara nga FDA për alopecinë androgjenetike (AGA), e njohur si rënia e flokëve sipas modelit: minoxidili dhe finasteridi.
Megjithatë, rezultatet për rritjen e flokëve me këto trajtime janë të kufizuara. Efektiviteti i finasteridit varion nga 31% deri në 66%, ndërsa minoxidili ka një efektivitet mesatar prej vetëm 38%.
Për më tepër, të dyja shoqërohen me rrezik për efekte anësore, transmeton Telegrafi.
Për të përballuar këtë problem, kompania Triple Hair Inc. ka zhvilluar një trajtim topikal të quajtur TH07, i cili kombinon finasteridin, minoxidilin dhe latanoprostin.
Latanoprosti përdoret zakonisht si pikë për sy për trajtimin e glaukomës dhe presionit të lartë të syrit, por është vërtetuar se stimulon rritjen e qerpikëve, duke rritur trashësinë, gjatësinë dhe pigmentimin e tyre.
Minoxidili (i njohur si Rogaine) nxit fazën e rritjes së flokëve dhe aktivizon folikulat e fjetura. Rritja e flokëve zakonisht shfaqet pas disa muajsh përdorimi dhe vazhdon vetëm për sa kohë përdoret trajtimi.
Finasteridi (Propecia) ul nivelin e DHT-së (dihidrotestosteronit), hormon që pengon ushqyerjen e folikulave të flokëve, duke çuar në dobësimin dhe rënien e tyre.
Në një studim të fundit, burrat me formë të lehtë deri të moderuar të alopecisë u ndanë në grupe dhe morën trajtim topikal për gjashtë muaj me TH07, finasterid 0.1%, latanoprost 0.03% ose minoxidil 5%.
Shumica e pjesëmarrësve që përdorën TH07 raportuan rritje të moderuar të flokëve dhe ishin më të kënaqur me pamjen e tyre krahasuar me ata që përdorën vetëm një nga përbërësit.
Në grupin TH07, 52% e pacientëve treguan rritje të dendur të flokëve, ndërsa 30% rritje të moderuar. Në grupet e tjera (finasterid, latanoprost dhe minoxidil), te shumica e pjesëmarrësve nuk u vu re rritje.
“Përdorimi topikal i TH07 tregoi efikasitet më të lartë krahasuar me përdorimin e secilit përbërës veçmas”, raportuan autorët e studimit.
Edhe më e rëndësishmja, pacientët që përdorën TH07 nuk raportuan efekte anësore, përfshirë ato seksuale. Finasteridi, kur përdoret vetëm, lidhet me efekte anësore si mosfunksionimi erektil, ulja e numrit të spermatozoideve dhe depresioni.
Ai lidhet gjithashtu me sindromën post-finasterid (PFS), një gjendje ku efektet anësore vazhdojnë edhe pas ndërprerjes së përdorimit, duke ndikuar rëndë në jetën e disa pacientëve.
Autorët theksojnë se TH07 mund të jetë një alternativë e sigurt dhe efektive për trajtimin e alopecisë, me potencial për rritje të flokëve dhe rrezik minimal për efekte anësore.
Megjithatë, ata pranojnë se studimi ka kufizime, si numri i vogël i pjesëmarrësve, përfshirja vetëm e burrave dhe kohëzgjatja e shkurtër e trajtimit. Përfundime më të sigurta kërkojnë studime më të gjata klinike. /Telegrafi/