Aktori amerikan, Timothee Chalamet, është përballur me reagime nga disa prej institucioneve më të njohura të artit skenik, pasi deklaroi se opera dhe baleti nuk tërheqin më interesin e publikut.
Gjatë një bisede me Matthew McConaughey në intervistën “Actors on Actors” të Variety, Chalamet foli për të ardhmen e kinemave dhe tha se nuk dëshiron të punojë në projekte ku duhet “të mbahet gjallë një formë arti që nuk ka më interes të madh nga publiku”, duke përmendur operën dhe baletin, shkruan DailyMail.
Deklarata e tij nxiti reagim nga Metropolitan Opera në New York, e cila publikoi një video me punonjësit dhe artistët e saj në punë, duke shkruar: “Gjithë respekti për njerëzit e operës dhe baletit”.
Edhe Royal Ballet and Opera në Londër reagoi, duke theksuar se opera dhe baleti kanë ndikuar për shekuj në teatër, film, muzikë dhe modë, dhe vazhdojnë të ndiqen nga miliona njerëz në mbarë botën.
Komentet e aktorit u kritikuan gjithashtu nga disa artistë të muzikës klasike, ndërsa disa të tjerë i dolën në mbrojtje, duke thënë se deklarata e tij është interpretuar më shumë sesa ishte menduar fillimisht. /Telegrafi/