Drejtori i Atletico Madridit, Miguel Angel Gil ka kritikuar ashpër sistemin e gjykimit në La Lig-a pas vendimit të diskutueshëm të VAR-it në rastin që përfshinte mbrojtësin e Barcelonës, Gerard Martin.
Incidenti ndodhi kur kartoni i kuq ndaj Martin u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it, një vendim që shkaktoi zemërim te drejtuesit e klubit madrilen.
“Kur i shohim pamjet dhe dëgjojmë audio-n e shpërndarë nga Federata, e vetmja gjë që mund të bëjmë është të ndihemi të turpëruar. Është e papranueshme që na lejojnë të dëgjojmë komentet e tyre, krejtësisht në kundërshtim me mënyrën se si duhet të funksionojë VAR-i, dhe të mos ndodhë asgjë”.
Drejtori i Atleticos theksoi se VAR-i nuk duhet të ndikojë në interpretimin e gjyqtarit kryesor.
“Gjyqtari në fushë duhet të jetë përgjegjës dhe të marrë vendime duke interpretuar qëllimin e secilit lojtar. VAR duhet të ndërhyjë vetëm për të korrigjuar gabime të qarta, jo për të vendosur në vend të gjyqtarit kryesor”.
Gil kritikoi gjithashtu atë që ai e konsideron si mungesë konsistence në vendimet e gjyqtarëve në La Liga.
“Nuk është normale që për situata identike të merren vendime të ndryshme, që kriteret të ndryshojnë dhe që ne të mos dimë çfarë të presim. Kjo na ka ndodhur në dy javët e fundit. Nuk ka kuptim”.
Ndërkohë, Barcelona dhe Atletico Madridi do të përballen prapë këtë mesjavë në kuadër të Ligës së Kampionëve./Telegrafi/