Në një treg gjithnjë e më konkurrues dhe kompleks, suksesi i qëndrueshëm në fushën ligjore nuk është rastësi. Firma ligjore “Kerveshi & Partners” ka konfirmuar edhe një herë pozitën e saj si një ndër më të suksesshmet në Kosovë, duke u renditur sërish nga platforma prestigjioze ndërkombëtare “The Legal 500”.
Ky vlerësim, i cili bazohet në analiza të pavarura, hulumtime të detajuara dhe feedback nga klientët, reflekton jo vetëm rezultatet konkrete, por edhe cilësinë e ekipit, profesionalizmin dhe qasjen praktike në trajtimin e çështjeve komplekse.
Në një intervistë për Telegrafin, avokati Kujtim Kërveshi thekson rëndësinë e këtij vlerësimi, duke e cilësuar “The Legal 500” si një nga platformat më të njohura globale për vlerësimin e shoqërive të avokatisë.
“Është një platformë botërore… që bën vlerësimin e sukseseve të shoqërive të avokatisë në gjithë botën, të ndara në juridiksione”, tha Kërveshi.
Sipas tij, procesi i vlerësimit është rigoroz dhe i pavarur, ku firmat nuk kanë qasje në informacionet që grumbullohen, ndërsa vlerësimi final mbështetet në hulumtimet e platformës dhe në opinionet e klientëve.
Këtë vit, “Kerveshi & Partners” ka arritur një sukses edhe më të lartë krahasuar me vitet paraprake, duke marrë vlerësime të veçanta, përfshirë edhe një që jepet për herë të parë.
“Ky është vlerësimi më i lartë që na është dhënë ndonjëherë për shkak të vlerësimit të lartë që ka dhënë klientela për ne”, u shpreh Kërveshi.
Po ashtu, firma është vlerësuar edhe për diferencimin në treg dhe kontributin e ekipit në trajtimin e çështjeve komplekse, duke e veçuar atë nga konkurrentët.
Megjithatë, përkundër suksesit, sfidat mbeten të pranishme. Kërveshi e identifikon nivelin e sundimit të ligjit si një ndër problemet kryesore në praktikën e përditshme.
“Sfida kryesore është niveli i cilësisë institucionale… kjo ndikon drejtpërdrejt në efikasitetin e proceseve ligjore”, deklaroi ai.
Ai shton se mungesa e profesionalizmit në disa raste ndikon jo vetëm në punën e avokatëve, por edhe në besimin e përgjithshëm në sistemin e drejtësisë. /Telegrafi/