Gjykata Speciale ka sqaruar se të drejtat e të akuzuarve respektohen në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në një njoftim të publikuar në faqen e saj zyrtare në “X”, Specialja thekson se çdo i akuzuar që nuk është i kënaqur me një vendim ka mundësinë të apelojë te një panel i veçantë gjyqtarësh, dhe si mjet i fundit, te Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese.
“Nëse një i akuzuar beson se një vendim nuk është në përputhje me ligjin ose shkel të drejtat e tij, ai mund ta apelojë vendimin te një panel i veçantë gjyqtarësh dhe, si mjet i fundit, te Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftim.
Gjykata shton se vendimmarrja e gjyqtarëve bazohet gjithmonë në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe në vendimet e mëparshme të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Deri më tani, Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese ka zbatuar të paktën 160 raste të mëparshme të gjykuara nga Gjykata Evropiane, për të siguruar që vendimet e saj të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.