Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka sqaruar procesin e përcaktimit të tarifave të ujësjellësit dhe kanalizimit, duke theksuar se ato miratohen nga Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU), në përputhje me Ligjin Nr. 05/L–042.
Në një njoftim të publikuar në Facebook, KRU “Prishtina” bën të ditur se ARRU përcakton tarifat me qëllim që ato të jenë të drejta, të arsyeshme dhe të garantojnë qëndrueshmërinë financiare të ofruesve të shërbimeve të ujit.
“ARRU përcakton tarifat e shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit, duke siguruar që ato të jenë të drejta, të arsyeshme dhe të mbështesin qëndrueshmërinë financiare të ofruesve të shërbimeve”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
Sipas KRU “Prishtina”, tarifat përfshijnë shërbimet e ujësjellësit dhe të ujërave të ndotura, furnizimin me ujë të patrajtuar me shumicë, si dhe ujin e trajtuar me shumicë. Tarifa, siç sqarohet, llogaritet duke pjesëtuar kërkesën për të ardhura me vëllimin e ujit të shitur, duke marrë parasysh edhe efikasitetin në arkëtimin e të ardhurave.
“Kërkesa për të ardhura përbëhet nga tre komponentë kryesorë: shpenzimet operative, mirëmbajtja kapitale dhe kthimi në Bazën Rregullatore të Aseteve”, thekson kompania.
Po ashtu, KRU “Prishtina” njofton se ka paraqitur kërkesat tarifore për periudhën 2026–2028, të cilat përfshijnë shpenzime operative për sigurimin e furnizimit të vazhdueshëm me ujë dhe shërbime të kanalizimit, investime kapitale dhe mirëmbajtje të rrjetit ekzistues, si dhe projekte për modernizimin e aseteve dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për konsumatorët.
“Edhe me tarifat e aprovuara, KRU ‘Prishtina’ mbetet e përkushtuar të ofrojë shërbime të qëndrueshme, cilësore dhe pa ndërprerje për qytetarët”, thuhet në fund të njoftimit. /Telegrafi/