Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav tha se sot së bashku me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropiane për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen janë takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për të diskutuar lidhur me Ligjin për të Huajt.
Orav në një konferencë për media tha se gjatë javës së fundit kanë pasur diskutime intensive me Kurtin, gjersa tha se janë pajtuar për zbatimin e Ligjit për të huajt me disa masa përmbajtjesore shtesë.
“Shpresojmë që të gjitha ato çështjet vendore do të zgjidhen sa më shpejt që të jetë e mundur në mënyrë që të ecim përpara me procesin e integrimit në BE. Së pari në takim jemi përqendruar në zbatimin e plotë të Ligjit mbi të huajt. Kemi diskutuar zbatimin që do të fillojë nga nesër. Kemi pasur diskutimet intensive gjatë javës së fundit dhe sot është arritur pajtimi i zbatimit të Ligjit për të huajt me disa masa përmbajtjesore shtesë, e sidomos kur bëhet fjalë për regjistrimin e banorëve serbë të Kosovës dhe personave me leje qëndrim të përkohshëm”, tha ai. /Telegrafi/