Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka bërë të ditur se në seancën e Kuvendit të Kosovës të premten do të trajtohen katër marrëveshje ndërkombëtare që sipas tij duhet të miratohen.
“Të premten janë katër marrëveshje ndërkombëtare. Ka pasur debat të gjerë lidhur me rezolutën e propozuar nga PDK-ja për mbrojtjen e viktimave të luftës, dhe grupi ynë e mbështet që ajo të jetë si pikë e parë e rendit të ditës”, ka thënë Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Ai gjithashtu ka konfirmuar se grupit parlamentar të AAK-së i është bashkuar deputetja e pakicave, Duda Balje.
“Duda Balje i është bashkuar grupit tonë dhe është pjesë e agjendës së seancës së së premtes. I gjithë debati në Kryesi lidhet edhe me procesin zgjedhor, por shpresojmë që të tejkalohet dhe të votojmë marrëveshjet ndërkombëtare në interes të vendit dhe qytetarëve”, ka shtuar ai. /Telegrafi/