Shefi i Grupit parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se Kosova është buzë kolapsit.
Ai tha se pas dështimit të zgjedhjes së presidentit, vendi ka hyrë në situatën më të rëndë.
Tahiri në një konferencë për media të enjten akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje që sipas tij nuk është në gjendje të bëjë shtetin funksional.
“Vendi është në situatën më të rëndë në post pavarësi dhe një ndër krizat ma të thella me shumë të panjohura. Kosova sot është në bllokadë, ndërsa shteti është jofunksional. Ekonomia është buzë kolapsit”, tha ai, raporton kp.
Tahiri u shpreh i bindur se dekreti i presidentes Osmani për shpërndarje të Kuvendit është kushtetues, madje ai kritikoi siç tha sulmet ndaj institucionit më të lartë juridik në vend nga eksponent të LVV-së.
Ai e shprehi të nevojshme edhe një bashkëpunim opozitar në zgjedhjet e mundshme të ardhshme.
“Opozita nuk duhet të frikësohet që të bashkohet në një platformë”, shtoi ai.