Nga: Peter Frankopan / The Independent
Përkthimi: Telegrafi.com
Është gjithmonë e vështirë – ndoshta edhe e gabuar – të përpiqesh të vlerësosh rëndësinë e ngjarjeve në kohë reale. Natyrisht, historia na jep një hapësirë të rehatshme për të marrë frymë, gjë që na lejon t’i vendosim gjërat me qetësi në kontekst, të lirë nga sfidat e nxitimit për të nxjerrë gjykimet të cilat nuk i rezistojnë provës së kohës.
Kanë qenë tri momente në jetën time kur menjëherë kuptova se ajo që po shihja kishte një domethënie epike, madje edhe teksa po zhvillohej. I pari ishte mbrëmja e 9 nëntorit 1989, kur turmat u mblodhën pas lajmit se kalimet kufitare do të hapeshin në Berlin – dhe muri filloi të binte atë natë. Natyrisht, i dyti ishte më 11 shtator 2001, kur u bë e qartë për të gjithë ne – ndërsa shikonim atë që ndodhi pas rrëmbimit të koordinuar të katër aeroplanëve të pasagjerëve – se bota do të ndryshonte përgjithmonë.
Që atëherë, ka pasur shumë ngjarje që kanë qenë të rëndësishme, të tmerrshme, ose të dyja. Për shembull, sulmet e Hamasit të 7 tetorit do të shihen si moment kyç në riformimin e Lindjes së Mesme. Por, ajo që kemi parë këtë fundjavë është, të paktën sipas mendimit tim, diçka që ka pasoja dhe implikime që e bëjnë këtë periudhë dyditore më të rëndësishmen në një çerek shekulli.
Vrasja jo vetëm e udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei, por edhe e një pjese të konsiderueshme të udhëheqjes së lartë të vendit, i ka dhënë një goditje shkatërruese shtetit. Vrasja e një kreu shteti në detyrë, nga një fuqi e huaj, është precedent i jashtëzakonshëm në epokën moderne. Fakti që vendimi i Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit për të sulmuar Iranin ishte një zgjedhje, dhe jo domosdoshmëri, e çmonton më tej rendin botëror i cili, ndonëse i papërsosur, për dekada ka ofruar të paktën një dukje të një arkitekture të së drejtës ndërkombëtare.
Në vitin 2003, në ndërhyrjen në Irak që rezultoi thellësisht e gabuar, administrata e presidentit George W. Bush u përpoq të ndërtonte një argument në OKB; kërkoi miratimin nga Senati; punoi me partnerë për të krijuar një rrjet aleancash. Presidenti Trump nuk u mor fare me këto gjëra. Përkundrazi, ai u lodh duke pritur për një zgjidhje diplomatike.
“I paralajmëruam të mos rifillonin kurrë ndjekjen e tyre dashakeqe për armë bërthamore”, tha ai teksa njoftoi fillimin e “operacioneve të mëdha luftarake”, në orët e para të mëngjesit të së shtunës. “Vazhdimisht kërkuam të bënim marrëveshje. U përpoqëm. Ata donin ta bënin. Pastaj nuk donin ta bënin. Donin ta bënin. Nuk donin ta bënin. Nuk e dinin çfarë po ndodhte. Thjesht donin ta ushtronin të keqen”. Kaq ishte. Ai kishte humbur durimin. “Nuk mund ta durojmë më”, njoftoi ai.
Orët pasuese sollën shkatërrimin e udhëheqjes politike, fetare dhe ushtarake të Iranit, si dhe një prerje thelbësore të zinxhirit të komandës. Ata që mbetën gjallë u rigrupuan dhe njoftuan një këshill të përkohshëm drejtues në përpjekjen të drejtonin vendin derisa të zgjidhej një udhëheqës i ri suprem. Ata kanë një prioritet, dhe vetëm një: mbijetesën e regjimit.
Llogaritja deri tani është se mënyra më e mirë për ta arritur këtë do të ishte të krijonte kaos jo vetëm mbi objektivat në mbarë Izraelin dhe bazat ushtarake amerikane, por edhe mbi të gjitha vendet e rajonit të Gjirit – me sa duket me shpresën që t’i detyrojë ato të përdorin ndikimin e tyre mbi Trumpin dhe kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu.
Kjo qasje shkoi mbrapsht me ata që ishin përpjekur të ndërmjetësonin midis Iranit dhe ShBA-së. Anwar Gargash, diplomati emirat i me përvojë dhe me lidhje të gjera, i kujtoi Teheranit se “lufta juaj nuk është me fqinjët tuaj”, por gjithashtu se “përmes këtij përshkallëzimi, ju e përforconi narrativën e atyre që e shohin Iranin si burimin kryesor të rrezikut në rajon dhe programin e tij raketor si burim të përhershëm paqëndrueshmërie”.
Një arsye se pse fqinjët e Iranit janë goditur me raketa dhe dronë është se mbledhja e informacionit, kanalet e komunikimit dhe efektiviteti operacional i udhëheqjes pothuajse janë shembur në mjegullën e luftës – gjë që nuk është aspak befasuese. Kjo është arsyeja pse Abbas Araghchi, ministri i Jashtëm i Iranit, ka qenë i zënë duke bërë telefonata sqaruese dhe qetësuese ndaj Omanit dhe të tjerëve, në të cilat ka shpjeguar se “në fakt, njësitë ushtarake të Iranit janë të pavarura dhe disi të izoluara, dhe po veprojnë bazuar në udhëzimet e përgjithshme që u janë dhënë paraprakisht”.
Kjo është arsyeja pse janë dërguar gjithashtu sinjalet edhe drejt SHBA-së, me Trumpin që deklaroi të dielën se “ata [Irani] duan të flasin, dhe unë kam jam pajtuar të flas, kështu që do të flas me ta”. Çfarë do të thonë apo çfarë do të ofrojnë, mbetet e paqartë. Por, një gjë është e qartë: ky është momenti kur rrota e madhe e historisë po sillet. Dy javë më parë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se “bota po ndryshon shumë shpejt para syve tanë. Bota e vjetër ka ikur”. Mund të mos ju pëlqejë ta dëgjoni këtë, as arsyet pse ka ndodhur, as ajo që mund të ndodhë më pas. Por, është e vështirë të mos pajtohesh. /Telegrafi/