PSG dhe Bayern Munich dhuruan një pjesë të parë spektakolare, me ritëm të lartë dhe raste të shumta, teksa 45-minutëshi i parë u mbyll me epërsi të vendasve 3-2.
Gjithçka nisi herët me epërsinë e bavarezëve. Në minutën e 12-të PSG kërkoi penallti pas rrëzimit të Ousmane Dembele, por gjyqtari Sandro Scharer nuk reagoi dhe loja vazhdoi.
Pak minuta më vonë, në minutën e 17-të, Bayern fitoi 11-metërsh pas një dueli në zonë dhe Harry Kane u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke e dërguar topin në këndin e poshtëm të djathtë për 1-0.
PSG tentoi të reagojë menjëherë. Në minutën e 23-të Dembele pati një mundësi të mirë nga brenda zonës, por gjuajtja shkoi larg shtyllës së djathtë.
Megjithatë, vetëm një minutë më pas, Khvicha Kvaratskhelia barazoi me një aksion individual, duke finalizuar nga brenda zonës me një goditje të saktë në këndin e poshtëm të djathtë për 1-1, pa i lënë shanse Manuel Neuerit.
Bayern u përgjigj me presion dhe rrezik konstant. Michael Olise ishte ndër më aktivët. Në minutën e 20-të detyroi portierin të ndërhynte, ndërsa në minutën e 33-të depërtoi thellë në zonë, gjuajti drejt këndit të djathtë, por Matvey Safonov bëri një pritje reflekse dhe topi u përplas në shtyllë, në një nga momentet më të bukura të pjesës së parë.
Në të njëjtën minutë, PSG kaloi në avantazh. Pas një goditjeje këndi të ekzekutuar në mënyrë perfekte, Joao Neves u shkëput në zonë dhe me kokë nga afërsia e pikës së penalltisë e dërgoi topin brenda shtyllës së djathtë për 2-1..
Spektakël i paparë në Francë: PSG po udhëheq pas pjesës së parë ndaj Bayern Munichut telegrafi.com
Kur dukej se PSG do ta mbyllte pjesën e parë në epërsi, Bayern riktheu baraspeshën me një gol të jashtëzakonshëm.
Në minutën e 41-të, Olise shënoi nga jashtë zonës me një goditje të fuqishme dhe precize, duke e ngulur topin në “çatinë” e portës për 2-2, një gol që vulosi një 45-minutësh të parë të jashtëzakonshëm.
Në çastet e fundit të pjesës së parë PSG-ja fitoi penallti pas një prekje me dorë të Alphonso Davies dhe Kvaratskhelia realizoi për 3-2.
Pjesa e dytë pritet të jetë po aq e zjarrtë, me të dy skuadrat që kanë treguar se mund të rrezikojnë në çdo aksion./Telegrafi/