Sulmuesi argjentinas Nico Gonzalez po kalon një periudhë vendimtare te Atletico Madrid, ndërsa e ardhmja e tij mbetet ende e paqartë.
Futbollisti është në Madrid në formë huazimi nga Juventusi, në një marrëveshje që përfshin një pagesë fillestare rreth 1 milion euro dhe një opsion blerjeje të kushtëzuar nga numri i paraqitjeve në La Liga.
Argjentinasi ka treguar momente të rëndësishme gjatë sezonit me ekipin madrilen.
Një nga paraqitjet më të mira erdhi së fundmi kundër Real Sociedad, ku realizoi dy gola dhe i dha fitoren skuadrës së tij.
Në klub vlerësohet veçanërisht shpejtësia e tij në hapësira, presioni i vazhdueshëm dhe aftësia për t’u shfaqur në zonat e rrezikshme.
Megjithatë, e ardhmja e tij lidhet ngushtë me një klauzolë në kontratë.
Opsioni i blerjes, i vlerësuar rreth 32 milionë euro, aktivizohet automatikisht nëse Nico Gonzalez luan të paktën 20 ndeshje në LaLiga me minimumi 45 minuta secilën.
Deri tani ai ka arritur në 13 ndeshje me këto kushte, ndërkohë situata e tij po ndiqet nga afër edhe në Itali.
Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, thuhet se e sheh sulmuesin si një profil që mund të përshtatet mirë në sistemin e tij, falë aftësisë për të luajtur në disa role në repartin ofensiv.
Vendimi përfundimtar pritet të merret në javët e ardhshme, nëse Nico Gonzalez arrin numrin e kërkuar të paraqitjeve, transferimi i tij te Atletico do të bëhet automatikisht.
Në të kundërt, Juventusi mund ta rikthejë në Torino ose të negociojë një marrëveshje të re me klubin spanjoll. /Telegrafi/