Në qendër të Prishtinës janë vendosur dy billborde me mesazhe sensibilizuese, “Sot beton. Nesër etje” dhe “Kur ndalon lumin, ndalon jetën”, të cilat synojnë të tërheqin vëmendjen e qytetarëve për gjendjen e rëndë të lumenjve në Kosovë.
Sipas hulumtimeve të realizuara nga organizata mjedisore “Ecopana”, mbi 142 pengesa artificiale po bllokojnë rrjedhën e gjashtë lumenjve kryesorë në vend. Shumica e këtyre strukturave janë të braktisura dhe jo funksionale, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në ekosistemet ujore.
Vendosja e kësaj fushate në kryeqytet shihet si thirrje për veprim, me qëllim rikthimin e rrjedhës natyrore të lumenjve dhe mbrojtjen e jetës që lidhet me ta.
Krenare Salihu nga kjo organizatë tha për Telegrafin se situatën e sheh si alarmante dhe ka bërë thirrje për rritje të vetëdijes qytetare dhe reagim institucional në të gjitha nivelet.
“Qëllimi kryesor ka qenë edhe përfundimi i një prej projekteve më të rëndësishme që kanë ndodhur kohëve të fundit sa i përket lumenjve në Kosovë. E kemi pasë projektin e identifikimit të të gjitha barrierave dhe pengesave në kuadër të pellgut të Lumit Drini i Bardhë, që i përfshin të gjitha edhe nënpellgjet e tjerë apo lumenjtë e tjerë që lidhen me pellgun e Drinit të Bardhë edhe kemi dashtë me potencu edhe me ju tregu qytetarëve që cilën e kemi gjendje në terren”, tha ajo.
Salihu theksoi se qëllimi i vendosjes së billbordeve është informimi i qytetarëve për realitetin në terren.
Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi
“Billbordat janë vendosur pikërisht për me i vetëdijesu qytetarët, se pse i kemi vendosur billbordat edhe cilën e kemi gjendjen konkrete në terren, që për fat të keq, disa prej neve ndoshta që jetojmë nëpër qytete nuk e dimë gjendjen konkrete të lumenjve tanë nëpër zonat ku i kemi lumenjtë kryesore dhe më të rëndësishëm të vendit”, bëri të ditur ajo.
Salihu shtoi se, ndonëse teknologjia dhe inteligjenca artificiale po ndikojnë gjithnjë e më shumë në jetën e përditshme, problemet reale mjedisore nuk mund të zgjidhen në këtë mënyrë.
“Kemi dashtë me potencu edhe pjesën e inteligjencës artificiale apo jetës tonë të përditshme që inteligjenca artificiale, për të mirë apo për të keq, e ka përfshij jetën tonë dhe sidomos kohëve të fundit nëpër jetën sociale pe përdorim shumë shpesh me na e rregullu momentin që dalim, ose vendin ku e kemi, e ndërrojmë një fotografi, e ndërrojmë një imazh, e rregullojmë pak veten, e rregullojmë ndoshta pakë plakjen nëse kisha mund ta quajmë, po për fat të keq gjendja që e kemi të lumenjëve nuk e rregullon inteligjenca artificiale”, deklaroi Salihu nga organizata “Ecopana”.
Ajo bëri të ditur se situata është tejet shqetësuese, duke përmendur numrin e madh të pengesave në lumenj.
Krenare Salihu nga Organizata “Ecopana”/Foto: Ridvan Slivova, Telegrafi
“E kemi potencu edhe aty që realiteti është ky: lumenjtë i kemi të ndotur jashtëzakonisht shumë, i kemi diku rreth 142 pengesa në pellgun e lumit Drini i Bardhë, që është numër jashtëzakonisht i madh sa i përket pellgut dhe me krahasu me sa është e madhe Kosova si shtet”, vazhdoi tutje ajo.
Sipas saj, këto struktura nuk mund të “rregullohen” përmes teknologjisë, ndërsa gjendja mbetet alarmante: “Edhe këto imazhe që i kemi marrë na ose rezultatet e projektit që e kemi implementu dhe që e kemi në përfundim e sipër nuk rregullohen me AI, po për fat të keq janë imazhe jashtëzakonisht shumë alarmante edhe që gjendja e lumenjve është alarmante dhe po kemi dëshirë edhe po punojmë me kalimin e kohës sa më shumë me ndryshu këtë gjendje”.
Duke folur për ndikimin e pengesave artificiale, ajo theksoi se ato ndikojnë drejtpërdrejt në jetën dhe furnizimin me ujë.
“Mesazhet janë shumë të qarta. Në momentin që ne e bëjmë një ndaljes të lumit ose që i vendosim një barrierë të panevojshme, sepse vlen të theksohet që për prej të gjitha barrierave ose pengesave që i kemi identifikuar, 80 për qind prej tyre janë të pashfrytëzume edhe janë të dëmtume”, zbuloi Salihu.
Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi
“Në momentin që na e kemi vendosë një barrierë, e cila më nuk shfrytëzohet ose e cila më nuk përdoret, atëherë e ndalon jetën, se e ndalon jetën sepse meqë ata lumenj, furnizohemi ne me ujë. E kemi ujin e pijes, që çdo ditë marrim jetë prej saj dhe uji është gjëja më e rëndësishme e jetës së njeriut”.
Salihu paralajmëroi edhe për pasojat afatgjata të betonizimit dhe ndërhyrjeve në rrjedhat ujore.
“Mesazhi tjetër ‘sot beton, nesër jetë’, pikërisht për atë se ne kur po vendosim betonin, në fakt ne e kemi në përgjithësi në të gjitha, edhe nëpër qytetet kryesore edhe kemi shumë beton, kemi shumë ndërtesa, kemi shumë pak parqe, kemi pak hapësira të gjelbëra dhe nuk e kemi këtë respektin e ligjërisht qysh ish dashtë me pas më shumë parqe e më shumë hapësira të gjelbërta. Po, në të njëjtën kohë e kemi njëjtë edhe të lumenjtë. Momentin që kemi beton, nesër mundemi me pasë etje”, alarmoi Salihu.
Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi
“Pse? Sepse e kemi identifiku dhe i kemi vërejtë që disa prej lumenjve ose prej rrjedhave, në momentin që e kanë vendos një pengesë, automatikisht pjesa e poshtme e pengesës është tharë edhe ujërat nëntokësore dikë na kanë lëvizë. Domethënë, betoni mundet me na kriju etje në të ardhmen edhe mos ta ndalojmë jetën tanë mas pari, mandej edhe të lumenjve tanë”.
Në fund, ajo bëri të ditur se projekti është realizuar nga organizata “Ecopana” me mbështetjen e organizatës ndërkombëtare “Open River Program”.
“Organizata Ecopana është organizata mjedisore që e ka bërë implementimin e projektit, kurse donacioni ka qenë ‘Open River Program’, një organizatë botërore e cila merret me çështjen e lumenjve në përgjithësi në gjithë botën, por edhe në shtetet e Ballkanit Perëndimor edhe e kemi pasë si donatorë kryesor për këtë çështje, sepse me të gjitha problemet që po hasim edhe në shtete tjera të Evropës e kanë moton ‘Let the river flow’ ose ta lejojmë lumin me rrjedhë lirshëm, pa pengesa”, ka përfunduar Salihu. /Telegrafi/