Kompania japoneze Sony ka publikuar detaje të reja rreth video-lojës së shumëpritur horror “Silent Hill: Townfall”, duke prezantuar një video të re që hedh më shumë dritë mbi atmosferën, mekanikat e video-lojës dhe drejtimin artistik të projektit.
Video-loja është pjesë e ringjalljes së njërës prej serive më të famshme të zhanrit horror, nën drejtimin e kompanisë Konami. Sipas pamjeve të publikuara, “Townfall” do të sjellë një qasje më intime dhe më psikologjike ndaj frikës, duke theksuar tensionin dhe ndjenjën e izolimit.
Nga videoja e re vërehet se video-lojës do të përdorë perspektivën e parë (first-person), një ndryshim i rëndësishëm nga disa tituj të mëparshëm të serisë. Kjo pritet të rrisë ndjeshëm përjetimin e frikës dhe zhytjen e lojtarit në ngjarje.
Ngjarja zhvillohet në një ambient të errët dhe të izoluar, me mjegull të dendur dhe ndërtesa të braktisura, duke ruajtur elementet klasike që e kanë bërë “Silent Hill” sinonim të horrorit psikologjik. Atmosfera mbështetet nga tinguj ambienti të tensionuar dhe një estetikë retro, përfshirë një pajisje elektronike me ekran të vogël që zëvendëson radion tradicionale të serisë.
Silent Hill: Townfall – Reveal Trailer | PS5 Games www.youtube.com
“Silent Hill: Townfall” pritet të kombinojë eksplorimin, zgjidhjen e enigmave dhe përballjet e kujdesshme me armiqtë. Video-loja nuk fokusohet vetëm te aksioni, por te ndërtimi gradual i ankthit dhe misterit, duke i dhënë përparësi narrativës dhe zhvillimit psikologjik të personazheve.
Edhe pse detajet e plota të historisë nuk janë zbuluar, krijuesit premtojnë një rrëfim të thellë dhe emocional, që do të sfidojë perceptimin e realitetit dhe frikës.
Deri më tani nuk është bërë e ditur data e saktë e publikimit, por loja pritet të dalë për PlayStation 5 dhe kompjuter. Interesimi i komunitetit të lojtarëve është i madh, ndërsa videoja e re ka ngjallur reagime pozitive në rrjetet sociale.
Me këtë projekt, Sony dhe Konami synojnë të rikthejnë lavdinë e një prej serive më ikonike të zhanrit horror, duke e përshtatur për një brez të ri lojtarësh, por pa humbur thelbin që e bëri “Silent Hill” legjendë në industrinë e video-lojërave. /Telegrafi/