Sllovenia po përgatitet për zgjedhjet e përgjithshme më 22 mars. Sondazhet tregojnë se kandidati kryesor është opozitari i djathtë Janez Jansha, tre herë ish-kryeministër dhe figurë populiste, raporton “The Economist”.
Javën e kaluar, fushata e tij mori hov pas publikimit të një faqeje interneti që akuzonte zyrtarë qeveritarë për korrupsion. Videot e publikuara shfaqnin individë duke u mburrur me lidhjet politike dhe biznesore me persona që dukeshin si të huaj.
Megjithatë, ata të shfaqur në pamje mohuan çdo shkelje dhe thanë se videot ishin manipuluar. Më 16 mars, portali lokal Mladina raportoi se operativë nga firma izraelite e inteligjencës politike “Black Cube” kishin takuar Janshën në selinë e partisë së tij në dhjetor, dhe sugjerohej se ata mund të ishin pas faqes. Kompania nuk pranoi të komentonte.
Këto video dhe pyetja se kush i prodhoi kanë trazuar fushatën elektorale. Kryeministri liberal aktual, Robert Golob, akuzoi ndërhyrje të huaja në zgjedhje. Jansha mohon çdo lidhje me “Black Cube” ose videot, por i përshkruan ato si dëshmi të korrupsionit qeveritar. Partia e tij, Partia Demokratike Sllovene (SDS), shkroi në rrjetet sociale se firma izraelite meriton “një monument” për ndihmën në luftën kundër korrupsionit, transmeton Telegrafi.
Jansha kishte humbur zgjedhjet e vitit 2022 përballë Golobit, i cili ishte një ish-biznesmen karizmatik. Por skandalet e fundit kanë dobësuar popullaritetin e qeverisë: Ministria e Drejtësisë është akuzuar për favorizim në blerje, ndërsa Golob është hetuar për ndërhyrje të dyshuar në punët e policisë. Ekonomia gjithashtu ka ngadalësuar rritjen, nga 2.7 për qind në vitin 2022 në 1.1 për qind aktualisht. Sondazhet tregojnë se SDS-ja e Janshës kryeson me disa pikë përqindjeje ndaj Lëvizjes së Lirisë të Golobit.
Nëse Jansha fiton, ai do t’i bashkohet klubit të udhëheqësve populistë të Europës. Mandati i tij i mëparshëm karakterizohej nga një drejtim gjithnjë e më autokratik: ai sulmoi gazetarët, kufizoi fondet për mediat e pavarura dhe ndërhyri në punën e RTV-së. Organizata “Freedom House” vuri re se gjatë qeverisjes së tij, Sllovenia shënoi rënien më të madhe demokratike ndër vendet ish-komuniste që monitoron.
Fitore e Janshës do të kishte ndikim edhe në Bashkimin Evropian, sidomos nëse kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, rizgjidhet. Jansha ka adoptuar një stil qeverisës të ngjashëm me Orbanin, duke sfiduar elitën globale dhe duke përdorur metoda që shpesh pengojnë sundimin e ligjit në BE. Ai mund të bashkohet me udhëheqës populistë si Robert Fico i Sllovakisë, duke rritur ndikimin e krahut populist në Evropë.
Firma “Black Cube” ka një histori të diskutueshme: më parë ka punuar për Harvey Weinstein për të diskredituar viktimat e abuzimit, dhe disa punonjës të saj janë dënuar në Rumani për përpjekje për intimidim. Publikimi i videove në Slloveni ngjason me fushata të ngjashme në Hungari më 2018 dhe 2022, ku “Black Cube” akuzohej për mashtrime dhe përdorim të profileve false për të manipuluar aktivistë.
Tani, zgjedhjet e Sllovenisë mund të vendosen jo vetëm nga përmbajtja e videove, por edhe nga pyetja se kush i ka prodhuar ato dhe çfarë qëllimesh kanë, duke e bërë këtë një prej fushatave më të ndërlikuara dhe të debatueshme në Evropë. /Telegrafi/