Barcelona pritet të paraqesë një ankesë zyrtare pas disa vendimeve shumë të diskutueshme në humbjen 4-0 në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Mbretit ndaj Atletico Madrid të enjten.
Pasi pësoi katër gola në pjesën e parë, Barcelona ndjeu se në fraksionin e dytë kundërshtari më i madh ishte gjyqtarët. Në minutën e 52-të, goli i Pau Cubarsit u anulua për pozicion jashtë loje, edhe pse në atë moment nuk u përdor teknologjia gjysmë-automatike e offside. Më pas, Giuliano Simeone i shpëtoi kartonit të kuq pas një ndërhyrjeje të ashpër ndaj Alejandro Balde.
Sipas raportimit të “Mundo Deportivo”, drejtuesit e Barcelonës mbetën aq të zemëruar me gjyqtarin, saqë po shqyrtojnë seriozisht paraqitjen e një ankese zyrtare.
Barcelona shpresoi të rikthehej në lojë vetëm shtatë minuta pas nisjes së pjesës së dytë, kur Cubarsi dukej se kishte ngushtuar rezultatin. Siç pritej, pati rishikim nga VAR për një situatë të ngushtë jashtë loje. Zakonisht, në Kupën e Mbretit përdoret teknologjia gjysmë-automatike pikërisht për raste të tilla, por për arsye të paqarta ajo nuk ishte funksionale. Vizatim manual i vijave zgjati plot gjashtë minuta përpara se goli të anulohej përfundimisht.
Pas ndeshjes, disa lojtarë të Barcelonës zbuluan bisedat me gjyqtarët, të cilët pranuan se sistemi i ofsajdit nuk kishte funksionuar në atë moment.
“Ata thanë diçka për sistemin që ishte prishur, por më pas pashë një pamje ku është e qartë se nuk ishte jashtë loje”, deklaroi Frenkie de Jong.
“Nëse vendimi bazohet në pamjen që pashë unë, dhe nëse nuk është inteligjencë artificiale apo diçka e tillë, sepse sot nuk e di kurrë… por nëse ajo është pamja, atëherë është skandal, sepse është kristalisht e qartë”.
Pakënaqësitë e Barcelonës ndaj gjyqtarit nisën që në sekondat e para të takimit. Trajneri Hansi Flick mendoi se Simeone duhej të ishte ndëshkuar me karton të verdhë për një faull të hershëm ndaj Balde, por lojtari argjentinas nuk u ndëshkua.
Në pjesën e dytë, Simeone ishte sërish në qendër të vëmendjes me një tjetër ndërhyrje të ashpër ndaj Balde. Pavarësisht protestave të katalanasve për karton të kuq, ai u lejua të vazhdonte lojën.
“Të them të drejtën, kohët e fundit asnjë vendim i gjyqtarëve nuk ka shkuar në favorin tonë”, u shpreh Eric Garcia, i cili u përjashtua me karton të kuq në fund.
“Ndërhyrja e Giulianos ndaj Balde ishte karton i kuq i qartë. Janë pikërisht këto lloj vendimesh ku duket sikur është e lehtë të merren vendime kundër nesh”.
Flick shtoi: “Aksioni i parë ndaj Balde ishte karton i verdhë. Patjetër. Do të kishte qenë krejt ndryshe nëse do ta kishte dhënë. Duke mos e dhënë, po fton këtë lloj loje. Për mua, është rrëmujë”./Telegrafi