Komuna e Drenasit ka bërë thirrje për kujdes të shtuar për qytetarët, pas reshjeve të dendura të shiut dhe vërshimeve përgjatë lumit Drenica.
Uji ka depërtuar në disa shtëpi dhe biznese, ndërsa disa segmente rrugore janë bërë të pakalueshme. Disa familje janë evakuar për shkak të rrezikut nga përmbytjet, ndërsa rryma elektrike është ndërprerë në zona të prekura.
“Rruga nga Drenasi drejt Komoranit, te ‘Trafoja’, është bllokuar, po ashtu edhe rruga e Feronikelit drejt Kronit të Mbretit. Niveli i lartë i ujit shfaqet edhe në Komoran, Çikatovë të Vjetër dhe disa lagje të komunës,” thuhet në njoftimin e komunës.
Autoritetet lokale u bëjnë thirrje qytetarëve që të shmangin daljet pa nevojë dhe të përdorin rrugët alternative për të siguruar lëvizje të sigurt: “Kalimi nga qyteti i Drenasit për magjistrale bëhet nëpër Shtrubullovë-Krajkovë-Llapushnik, dhe alternativa tjetër është Drenas-Damanek-Krajkovë-Llapushnik.”
Komuna gjithashtu ka falënderuar qytetarët me automjete private që kanë ndihmuar ekipet emergjente në përballimin e situatës.
“Ekipet kompetente janë në terren, po bëjnë përpjekje për të lehtësuar gjendjen dhe po monitorojnë situatën. Çdo informacion shtesë do të bëhet publik me kohë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/