Reshjet e shiut dhe borës kanë krijuar grumbullim uji dhe rrëshqitje dheu në disa segmente rrugore në vend.
Ministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka deklaruar se po punojnë me të gjitha kapacitetet për të eliminuar pengesat dhe për të siguruar qarkullim sa më normal të automjeteve.
Siç njofton ai, rruga Prishtinë – Ferizaj vazhdon të jetë e bllokuar për shkak të sasisë së madhe të ujit të grumbulluar, e shkaktuar nga kyçjet ilegale në kanalet e ujërave atmosferike.
Ministria paralajmëron se reshjet e borës dhe temperaturat nën zero gjatë natës mund të krijojnë ngrica në rrugë.
Ekipet e Ministrisë janë të angazhuara për pastrimin e të gjitha rrugëve nën kompetencën e tyre dhe shprehin gatishmëri për të ndihmuar edhe institucionet lokale aty ku paraqitet nevoja.
Qytetarët këshillohen të vozisin me kujdes të shtuar dhe të përshtaten me kushtet e rrugës./Telegrafi/