Dje, më 3 shkurt në shkollën IAAP “Abdyl Ramaj” në Suharekë, u mbajt ceremonia përmbyllëse e projektit për funksionalizimin e Sistemit të Grumbullimit të Ujit të Shiut dhe Ujitjes së Qëndrueshme në ambientet e shkollës.
Projekti është implementuar në kuadër të IWRM-K Faza 2 – Skema e Granteve për OJQ,me mbështetje të Qeverisë Zvicerane përmes SDC. Ky projekt synon ruajtjen e resurseve ujore duke përdorur ujin e reshjeve për ujitje, gjë që rrit qëndrueshmërinë gjatë periudhave të thata.
Sistemi i implementuar grumbullon ujin e shiut nga kulmi dhe e ruan atë në rezervuarë, ku më vonë përdoret për ujitje të hapësirave të gjelbra përmes rrjeteve të ujitjes me spërkatje dhe rrjetit pikë-pikë. Përtej funksionit të tij operativ, ky sistem u mundëson nxënësve dhe mësimdhënësve të angazhohen drejtpërdrejt në mësim praktik mbi menaxhimin e qëndrueshëm të ujit.
Gjatë ceremonisë, përfaqësuesja e SDC-së, Ardiana Efendija Zhuri, theksoi se ky projekt është një iniciativë shembullore e investimeve për ruajtjen e ujit, ku një grant i zbatuar mirë arrin të krijojë ndikim konkret në komunitet, duke lidhur mjedisin me arsimin Në këtë ngjarje ishin të pranishëm edhe Drejtori i Arsimit dhe Drejtori i Shërbimeve Publike të Komunës së Suharekës, të cilët përgëzuan shkollën dhe partnerët për arritjet e projektit, dhe theksuan se komuna do të jetë gjithmonë në përkraje të iniciativave që krijojnë qëndrueshmëri, dhe gjithashtu synohet që modeli të replikohet duke u futur e si pjesë e projekteve te tjera infrastrukturore.
Përfaqësuesit institucionalë ritheksuan rëndësinë e angazhimit për qëndrueshmëri të resurseve ujore, si dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar me donatorët në mënyrë që projekte të ngjashme të zbatohen edhe në institucione të tjera arsimore dhe publike.
Përvoja e IAAP “Abdyl Ramaj” tregon se bashkëpunimi ndërmjet shkollës, komunës dhe partnerëve mbështetës mund të rezultojë në sisteme funksionale që integrohen në operimine përditshëm të institucionit.
Ky projekt krijon një pikënisje për avancimin e qasjeve të qëndrueshme në Kosovë, duke treguar potencialin e ndërhyrjeve lokale për të informuar zhvillime më të gjera në nivel institucional.