Zyrtarët amerikanë kanë hetuar një eksperiment të pa raportuar më parë në Norvegji, në të cilin një shkencëtar qeveritar testoi një pajisje dhe zhvilloi simptoma neurologjike të ngjashme me të ashtuquajturën Sindroma e Havanës.
Norvegjia informoi CIA-n për incidentin, duke nxitur të paktën dy vizita nga zyrtarë të Pentagonit dhe Shtëpisë së Bardhë.
Njerëz të njohur me testin thanë se rezultatet nuk vërtetuan se diplomatët dhe spiunët amerikanë ishin shënjestër e një kundërshtari të huaj, megjithëse ato treguan se pajisjet me energji pulsuese mund të ndikojnë në biologjinë njerëzore, shkruan Reuters.
Ndryshe, Sindroma e Havanës është një term i përdorur për të përshkruar një grup simptomash shëndetësore të raportuara për herë të parë në vitin 2016 nga diplomatë amerikanë dhe kanadezë në Havana, Kubë.
Rastet e para u raportuan nga stafi i ambasadës së SHBA-së në Havana.
Të prekurit thanë se kishin dëgjuar zhurma të pazakonta ose kishin ndier presion në kokë përpara se të shfaqeshin simptomat.
Simptomat e raportuara: dhimbje koke, marramendje, probleme me ekuilibrin, vështirësi në përqendrim dhe kujtesë, të përziera, lodhje, probleme me dëgjimin.
Disa raste u raportuan edhe në vende të tjera si Kinë, Gjermani dhe Austria.
Shkaku mbetet i paqartë dhe është subjekt debatesh.
Sindroma e Havanës nuk është një diagnozë mjekësore e përcaktuar zyrtarisht, por një term që përshkruan simptoma të pashpjeguara neurologjike të raportuara nga diplomatë dhe zyrtarë. /Telegrafi/