Marrëdhëniet ndërkombëtare, situata në NATO, BE dhe rajon, si dhe proceset reformuese në vendin tonë ishin temat e diskutuara në takimin e sotëm midis presidentes së vendit, Gordana Siljanovska-Davkova, dhe Nicole Varnes, ushtruese e detyrës së shefes së misionit në Ambasadën e SHBA-së.
“Bashkëbiseduesit u përqendruan në çështjet maqedonase: proceset reformuese në gjyqësor, dixhitalizimin, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe zbatimin e projekteve infrastrukturore. Për ta, modeli gjithëpërfshirës i vendimmarrjes dhe meritokracia në të gjitha sferat e jetës shoqërore, dhe veçanërisht në sistemin arsimor dhe në rekrutimin e administratës shtetërore dhe publike në nivelin më të lartë janë thelbësore, jo vetëm për integrimin tonë evropian, por edhe për prosperitetin e vendit.
Në kohë sfidash dhe rreziqesh sigurie, për të dyja palët, partneriteti strategjik SHBA-Maqedoni, si dhe aleanca në NATO, janë të rëndësishme për stabilitetin”, thuhet në deklaratën e kabinetit të Siljanovska-Davkovës.
Presidentja shprehu gatishmëri për bashkëpunim të mëtejshëm me të njëjtën dinamikë dhe angazhim si me ambasadorin e mëparshëm të SHBA-së./Telegrafi/