Zbuloni si ta bëni raftin tuaj të librave unik: nga përdorimi i ngjyrave deri te sendet dekorative, mësoni këshilla për një rregullim të përkryer
Raftet më të bukura të librave duken sikur janë krijuar me vite përkushtimi dhe kujdesi, që reflektohen në kartolinat nga udhëtimet, librat e zhanreve të ndryshme dhe sendet e marra nga njerëz të dashur. Për ata që i duan, librat janë arratisje nga përditshmëria, mënyrë për të njohur veten, për të zbuluar botë të reja dhe për të kuptuar më mirë njerëzit përreth. Prandaj, këto objekte të çmuara meritojnë të vendosen në një ambient të bukur.
Raftet me libra, apo bibliotekat e vogla në shtëpi, janë një nga elementet kyçe të brendësisë që kanë aftësinë të zbukurojnë të gjithë hapësirën. Prandaj është e rëndësishme si i rregullojmë ato. Më poshtë gjeni pesë mënyra për ta bërë raftin tuaj të duket i rregullt dhe i veçantë, transmeton Telegrafi.
Freskoni raftin
Shtoni ngjyrë ose letër dekorative me motive në pjesën e pasme të rafteve të hapura ose të dollapëve për të krijuar thellësi. Kjo i jep mobilieve të vjetra një pamje të freskët dhe më elegante.
Renditni sipas ngjyrave
Vendosni librat sipas ngjyrës së kopertinave – nga nuancat e buta neutrale deri te ngjyrat e forta. Kjo funksionon veçanërisht mirë me botimet e vjetra dhe i jep raftit pamje të rregullt dhe moderne.
Kombinoni objekte të ndryshme
Ndërprisni rreshtat e librave me një figurë qeramike, një kornizë me foto të dashur ose një vazo të veçantë. Rregullojini sipas ndjesisë dhe emocioneve tuaja, që rafti të duket personal.
Krijoni një kënd për pije
Dedikoni një pjesë të raftit për një kënd të vogël shtëpiak për pije, ku praktika dhe estetika bashkohen. Vendosni në një tabaka shishet e bukura, gotat cilësore dhe aksesorët përkatës.
Luani me nivelet
Kombinoni rreshta librash të vendosur vertikalisht me ata të vendosur horizontalisht. Kjo krijon një pamje më dinamike. Librat e vendosur horizontalisht mund të shërbejnë edhe si bazë për qirinj, llamba të vogla ose zbukurime.
Në fund, pavarësisht nëse rafti juaj anon më shumë nga stili letrar apo dekorativ, rregullimet më të suksesshme janë ato që pasqyrojnë mënyrën tuaj të jetesës. Një raft i rregulluar mirë duhet të zgjojë kureshtje, të nxisë bisedë dhe, mbi të gjitha, të jetë pasqyrë e interesave dhe personalitetit tuaj. /Telegrafi/