Dhuna që Serbia po ushtronte ndaj shqiptarëve të Kosovës në fillim të vitit 1999 po shkaktonte shqetësim të madh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Situata ishte e papranueshme për presidentin amerikan të kohës, Bill Clinton, i cili e konsideronte dhunën një kërcënim serioz jo vetëm për Kosovën, por edhe për stabilitetin e rajonit.
Në këtë kontekst, Clinton nisi të diskutojë me aleatët e NATO-s mundësinë e ndërhyrjes në Kosovë. Fillimisht, ai ishte pro idesë që SHBA të dërgonte trupa në rajon, por vetëm në rast se dhuna do të ndalej dhe do të arrihej një marrëveshje e fuqishme paqësore, që pritej të diskutohej në Rambuje, dy ditë pas ngjarjeve të ashpra ku Clinton po merrte pjesë.
“Koha për ta ndalur këtë konflikt në Kosovë është tani, para se të përhapet dhe ndërkohë që mund të frenohet me një kosto të pranueshme. Ne kemi rënë dakord me aleatët tanë për një strategji që besojmë se mund të sjellë paqe dhe ta mbështesë atë strategji me forcën e NATO-s,” tha Clinton, duke theksuar se pavarësisht diskutimeve të shumta, një vendim final ende nuk ishte marrë.
Presidenti amerikan shtoi gjithashtu se nëse arrihej një marrëveshje – dhe ky ishte një “nëse” i madh – një prani e NATO-s në terren në Kosovë mund të ishte thelbësore për të dhënë të dyja palëve besimin e nevojshëm për t’u tërhequr nga përleshjet. “Nëse kjo ndodh, ne po e shqyrtojmë seriozisht mundësinë e pjesëmarrjes sonë në një forcë të tillë. Po e diskutojmë këtë tani me Kongresin dhe me aleatët tanë. Ende nuk është marrë asnjë vendim,” theksoi ai.
Edhe Sekretarja e Shtetit të SHBA, Madeleine Albright, nënvizoi interesat e qarta kombëtare të Amerikës në arritjen e paqes në Kosovë. Sipas saj, çdo mision amerikan do të varej nga një marrëveshje e fortë dhe një tërheqje e forcave serbe.
“Amerika ka interesa të qarta kombëtare në një zgjidhje paqësore të këtij konflikti, të cilat krijojnë arsye bindëse që ne ta shqyrtojmë seriozisht pjesëmarrjen amerikane. Megjithatë, gatishmëria jonë për të marrë pjesë do të varet nga arritja e një marrëveshjeje të fortë dhe efektive, ndaj së cilës palët të tregojnë se janë vërtet të përkushtuara. Forca duhet të jetë në gjendje të veprojë në një mjedis të lejueshëm, përfshirë tërheqjen e një numri të mjaftueshëm të forcave serbe të sigurisë dhe një marrëveshje që kufizon armët dhe veprimtarinë e forcave paramilitare,” deklaroi Albright.
Sekretarja e Shtetit shprehu shqetësimin se nëse dhuna nuk ndalej, konflikti në Kosovë mund të përhapej dhe të destabilizonte pjesë të tjera të rajonit.
“Përhapja e konfliktit mund të ringjallë luftimet në Shqipërinë fqinje dhe të destabilizojë Maqedoninë e brishtë. Mund të ndikojë te aleatët tanë të NATO-s, Greqia dhe Turqia, dhe mund ta mbushë rajonin me refugjatë dhe të krijojë një strehë për terroristë ndërkombëtarë, trafikantë droge dhe kriminelë. Një konflikt rajonal do të minonte besueshmërinë e NATO-s si garantuese e paqes dhe stabilitetit në Evropë. Kjo do të paraqiste një kërcënim që Amerika nuk mund ta injoronte,” paralajmëroi ajo.
Megjithatë, në anën tjetër, autoritetet jugosllave refuzuan idenë e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare dhe deklaruan se Kosova do të mbetej nën kontrollin e Serbisë, duke krijuar kështu një pengesë të madhe për çdo marrëveshje të mundshme paqësore.