Ekspozita “SHIFT” e artistit Shuk Orani do të hapet më 25 mars 2026, në orën 19:00, në GOCAT Gallery, nën kurimin e Elton Koritarit.
“SHIFT” shënon ekspozitën e parë personale të Oranit në Shqipëri dhe paraqet një udhëtim artistik në një territor të ndërmjetëm mes ndjeshmërisë njerëzore, shenjës dhe inteligjencës artificiale.
Artisti, i lindur në Prishtinë dhe me bazë në Gjermani, sjell në këtë ekspozitë piktura abstrakte monumentale, duke trajtuar një nga pyetjet më aktuale për artin sot: çfarë mbetet nga arti përballë zhvillimit të inteligjencës artificiale?
Ekspozita zhvillohet mes dy gjendjeve perceptimi: njëra e qartë, e strukturuar dhe lehtësisht e kuptueshme; tjetra më kërkuese, fizike dhe e paplotë.
Vizitorët kalojnë nga një hapësirë ku gjithçka është e dhënë, në një tjetër ku kuptimi duhet të zbulohet përmes vëmendjes dhe durimit.
Në thelb, “SHIFT” nuk është një ekspozitë për teknologjinë, por për atë që ajo nuk mund të bëjë: të përjetojë pasigurinë si proces krijues, të gabojë në mënyrë produktive apo të zbulojë të papriturën.
Përmes kësaj përballjeje, Orani kërkon të theksojë atë që mbetet thellësisht njerëzore në artin e tij. /Telegrafi/