Ka vdekur në moshën 79-vjeçare, ish-kongresisti amerikan, Eliot Engel, një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës.
Pas lajmit për vdekjen e Engel, në Kosovë reaguan drejtuesit e institucioneve dhe krerët e partive politike.
Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se vendi humbi një mik të dëshmuar dhe përkrahës të palëkundur të lirisë dhe shtetësisë së Kosovës.
“Për më shumë se tri dekada në Kongresin amerikan, ai qëndroi në anën e drejtë të historisë. Nga thirrjet për ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 kundër regjimit të Sllobodan Millosheviq, te mbështetja për pavarësinë në vitin 2008 dhe konsolidimin e shtetit tonë, Engel ishte një aleat i vendosur i Kosovës në çdo etapë”, shkroi ajo në rrjetet sociale.
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza tha se, Engel qëndroi pranë Kosovës në kohën kur “po shkruhej historia”.
“Ai ishte zëri i drejtësisë për ne në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Miqësia dhe kontributi i tij nuk do të harrohen kurrë”.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ju shpreh ngushëllime familjes, popullit amerikan dhe qytetarëve të Kosovës, për humbjen e mikut tonë të madh, kongresistit Eliot Engel.
“Marrëdhënia e tij e veçantë me Presidentin Ibrahim Rugova dhe mbështetja e palëkundur ndaj vizionit të tij për Kosovën e lirë, të pavarur dhe demokratike përbëjnë një kapitull të rëndësishëm në rrugëtimin tonë politik e shtetëror. Në vitin 2004, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të paçmueshëm, Presidenti Rugova e kishte dekoruar me Medaljen e Artë të Lirisë”, shkroi Abdixhiku.
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Engel ishte një “mik i vërtetë i shqiptarëve” që qëndroi me Kosovën “në ditët më të errëta dhe ditët më të mira”.
“Zëri i tij ndihmoi në formësimin e rrugës sonë drejt lirisë”, shkroi ai në X.
Kryetari i kryeqytetit Përparim Rama deklaroi se në një kohë kur Kosova kishte më së shumti nevojë për miq, ai ishte ndër të parët që qëndroi në krahun tonë.
“Udhëheqja e tij në Kongresin e SHBA-ve ndihmoi që kauza jonë të marrë vëmendje ndërkombëtare dhe luajti një rol të rëndësishëm në avancimin e saj”, shkroi Rama.
Ambasada e Kosovës në SHBA, u shprehën thellësisht të trishtuar nga ndarja nga jeta e Eliot Engel.
“Ai qëndroi pranë Kosovës jo vetëm si një anëtar i shquar i Kongresit, por si një mik i vërtetë që kujdesej për popullin tonë”.
Veprimtari i Kosovës në SHBA, Harry Bajraktari kujton se Engel ishte mik i pazëvendësueshëm i kombit shqiptar, një nga më meritorët që sot e kemi Kosovën e lirë e të pavarur, si dhe Shqipërinë demokratike e pjesë të NATO-s.
“Për mua personalisht, Eliot Engel ka qenë si vëlla i imi dhe miku im më besnik në betejat tona për Kosovën. Që nga dita e parë, në vitin 1989, kur trokita në derën e zyrës së tij për t’i folur për vuajtjet e popullit të Kosovës, ai hapi jo vetëm zyrën, por edhe zemrën e tij për popullin shqiptar”, ka shkruar Bajraktari.
Engel ka qenë mbledhësi kryesor i mbështetjes së Kongresit për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, në vitin 2008.
Si kryetar i Komitetit për Punët e Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Engel ka luajtur një rol të rëndësishëm në forcimin e angazhimit amerikan në Ballkanin Perëndimor.
Ai u shqua për mbështetjen e tij të palëkundur ndaj Kosovës dhe popullit shqiptar.
Trashëgimia e tij mbetet ajo e një udhëheqësi me parime të forta, të përkushtuar ndaj vlerave demokratike dhe partneritetit ndërkombëtar./Telegrafi/