Shqipëria renditet mbi mesataren europiane për përdorimin e energjisë së rinovueshme. Sipas të dhënave të Eurostat, 43.1% e energjisë totale të konsumuar në vend vjen nga burime të pastra, ndërsa mesatarja e Bashkimit Europian është 25.2%.
Në krye të renditjes në Bashkimin Europian qëndrojnë vendet nordike. Suedia kryeson me 66%, e ndjekur nga Finlanda me 47%, Letonia me 45%, Danimarka me 44% dhe Estonia me 43% energji nga burime të rinovueshme në total.
Në fund të listës janë disa shtete të Europës Perëndimore. Irlanda renditet e fundit me 13%, e ndjekur nga Malta me 14%, Belgjika me 14.5%, Luksemburgu me 15% dhe Holanda me 16%.
Kur flasim vetëm për energjinë elektrike, panorama ndryshon. Në Bashkimin Europian, 47.5% e energjisë elektrike prodhohet nga burime të rinovueshme, ndërsa vende si Austria dhe Suedia afrohen ose kalojnë 90%, duke u mbështetur te uji dhe era.
Objektivi i Bashkimit Europian është ambicioz. Deri në vitin 2030, BE synon që 42.5% e energjisë totale të vijë nga burime të rinovueshme, një sfidë që kërkon investime të mëdha, sidomos në transport dhe ngrohje.
Të dhënat tregojnë se ndërsa Europa po ecën drejt energjisë së pastër, ritmet mbeten të ndryshme. Shqipëria përfiton nga burimet natyrore, por sfida e radhës është diversifikimi dhe ulja e varësisë nga karburantet fosile./Tv Klan
Tv Klan