Kosova U19 fiton ndaj Gjibraltarit me rezultat të thellë 7-0 në ndeshjen e dytë kualifikuese për Kampionatin Evropian 2027, i cili do të mbahet në shtetin e Çekisë.
Në Turqi, ku po mbahet turneu i Grupit 2 të Ligës B, Kosova U-19 e ka fituar ndeshjen e dytë ndaj Gjibraltarit, pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë ndaj Armenisë.
Ndeshja u dominua plotësisht që në pjesën e parë, ku Rin Ahmeti hapi serinë e golave në minutën e 20’ për 1-0. Vetëm tri minuta më vonë, Donart Ahmeti dyfishoi epërsinë, duke i dhënë skuadrës kontroll të plotë të lojës.
Ritmi nuk u ndal, pasi Lorik Mehmeti realizoi dy herë brenda pjesës së parë (28’ dhe 44’), duke e çuar rezultatin në 4-0 para pushimit.
Edhe në pjesën e dytë vazhdoi i njëjti skenar, me dominim të plotë dhe gola të njëpasnjëshëm. Diart Gashi shënoi për 5-0 në minutën e 63’, ndërsa Agon Uka shtoi të gjashtin në minutën e 79’.
Në fund, Donart Ahmeti realizoi golin e tij të dytë personal në minutën e 81’, duke vulosur fitoren e thellë 7-0.
Ndryshe, duelin e fundit, djelmoshat U-19 të Kosovës e zhvillojnë kundër Turqisë, më 30 mars. /Telegrafi/