Pas rezultatit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, që e nxori Lidhjen Demokratike të Kosovës në vendin e tretë me rënie të dukshme të votave, disa anëtarë të partisë kanë shprehur pakënaqësi për organizimin e brendshëm.
Shqipe Pantina, anëtare e LDK-së, ka kritikuar drejtimin e partisë, duke theksuar se fokusi ekskluziv në opozitë ndaj Qeverisë Kurti ka lënë pas dore ofrimin e një alternative konkrete për qytetarët.
“Pse ekziston një parti politike? A është vetëm për të bërë opozitë apo për të përfaqësuar vlera dhe parime? Kjo është huqja e LDK-së. U fokusuan shumë në opozitë dhe harruan vlerat që përfaqësojnë. Një qytetar që nuk është pjesë e asnjë partie dëshiron të dijë se çfarë i ofron alternativa jonë,” tha Pantina, duke kritikuar gjithashtu mungesën e vizitave të drejtuesve të partisë në nëndegë.
Pantina gjithashtu ka vënë në pikëpyetje reformën e nisur nga kryetari Lumir Abdixhiku, duke theksuar se largimi i strukturave të vjetra dhe pozicionimi i individëve pa përvojë politike ka krijuar rezistencë brenda partisë.
“Reforma është lënë në gjysmë. Nuk mund të bësh ndryshime duke eliminuar strukturat ekzistuese dhe duke i dhënë hapësirë dikujt që nuk njeh LDK-në,” tha ajo në Debat Plus në RTV Dukagjini.
Komentet e Pantinës shkaktuan reagime brenda partisë.
Kandidati për deputet Sokol Havolli e sulmoi atë, duke e akuzuar për “goditje pas shpine” ndaj LDK-së.
“Çka të duhen kundërshtarë jashtë kur disa janë brenda? Shqipe Pantina pas çdo dështimi politik personal ia dha edhe një goditje LDK-së,” shkroi Havolli.
Sipas rezultateve të deritanishme, ndërsa vazhdon numërimi i votave me postë, Lidhja Demokratike e Kosovës pritet të ketë 14 deputetë në Kuvend. /Telegrafi/