Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës ka bërë të ditur se sot në mëngjes është denoncuar në Policinë e Kosovës rasti i shpërndarjes së paligjshme të të dhënave personale të gazetares Ardiana Thaçi-Mehmeti dhe ngacmimit seksual online ndaj saj.
Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se drejtorja Ekzekutive e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Getoarbë Mulliqi, së bashku me gazetaren Ardiana Thaçi-Mehmeti dhe përfaqësuesin ligjor të AGK-së, avokatin Yll Zekaj, e kanë paraqitur rastin në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Kosovës.
“Rrjeti i Grave Gazetare beson që institucionet përgjegjëse do të veprojnë me urgjencë për të hetuar rastin, për të identifikuar dhe ndëshkuar përgjegjësit. Ky është rasti i tretë i ngacmimit online të natyrës së njëjtë që gazetarja Thaçi-Mehmeti ka përjetuar, në dy vitet e fundit”, thuhet në njoftim.
Rrjeti i Grave Gazetare do të vazhdojë të qëndrojë pranë Ardianës dhe të gjitha gazetareve që përballen me dhunë dhe ngacmime online, duke i inkurajuar ato që të raportojnë çdo rast të tillë. /Telegrafi/