Skuadra e Shkëndijës nga Tetova priti në Shkup ekipin turk Samsunspor në ndeshjen e parë të “Play-Off”-it të Ligës së Konferencës së UEFA-s, ndërsa përballja u mbyll me fitore minimale të mysafirëve nga Turqia 0-1 (0-0), njofton Telegrafi.
Ky duel kishte karakter historik për kuqezinjtë, që për herë të parë në historinë e klubit janë pjesë e fazës së grupeve të një gare evropiane dhe njëkohësisht ekipi i parë nga Maqedonia e Veriut që arrin në fazën eliminimit.
Turqit u shfaqën më aktivë në pjesën e parë, ndërsa Shkëndija mund të quhet me fat që nuk pësoi gol. Ramadani dhe Tamba provuan nga distanca, por goditjet e tyre nuk paraqitën rrezik serioz. Aksionet e ndërtuara nga vendasit shpesh mungonin në pasimin final, duke mos arritur të konkretizohen.
Në anën tjetër, Samsunspori ushtroi presion të vazhdueshëm. Holse dhe Asoumi vunë në provë portierin Gaye, ndërsa mysafirët fituan edhe një penallti që në minutën e 6-të pas ndërhyrjes së Fetait. Megjithatë, ylli kryesor i turqve, Sherif Ndiaye, e dërgoi topin mbi portë, duke shpërdoruar një mundësi të artë.
Në pjesën e dytë, trajneri Jeton Beqiri provoi të freskojë mesfushën me aktivizimin e përforcimit të ri, Islami, i cili debutoi në garat evropiane. Por loja vazhdoi të diktohej nga Samsunspori, që krijoi raste të reja. Kamerunasi Ntcham ishte pranë golit, por nuk arriti të konkretizojë.
Pas një presioni të gjatë, Shkëndija u dorëzua në minutën e 77-të, kur zëvendësuesi Marius mposhti Gayen për golin e vetëm të ndeshjes, duke i dhënë fitore të rëndësishme skuadrës turke.
Ndeshja e kthimit mes Samsunsporit dhe Shkëndijës do të luhet javën e ardhshme në Turqi, ku kuqezinjtë do të kërkojnë përmbysjen për të mbajtur gjallë ëndrrën evropiane. /Telegrafi/