Blerim Vela
Në mesin e janarit 2026, analistët raportuan një rritje të ndjeshme të propagandës së së djathtës ekstreme të lidhur me Rusinë, që qarkullonte në Telegram në Serbi. Dhjetëra kanale të ndërlidhura përforcuan mesazhet e Ligës Ndërkombëtare Sovraniste dhe rrjeteve të tjera ekstremiste, duke arritur qindra-mijëra ndjekës. Këto kanale nuk janë dhoma të izoluara jehone. Grupet ultranacionaliste në Serbi rishpërndajnë përmbajtje të koordinuar mbi emigracionin, tradicionalizmin dhe kundërshtimin ndaj normave liberale, duke i ngulitur thellë në diskursin online narrativat e përafruara me Moskën. Zgjerimi i këtyre rrjeteve nxjerr në pah mënyrën se si platformat digjitale janë shndërruar në vektorë qendrorë të ndikimit të huaj në Ballkanin Perëndimor, duke formësuar opinionin publik dhe dinamikat politike, e jo thjesht duke i pasqyruar ato.
Rrjetet online janë vetëm një shtresë e një ekosistemi më të gjerë. Në mbarë Ballkanin Perëndimor, grupe të së djathtës ekstreme marshojnë në rrugë, priftërinj ortodoksë e paraqesin besnikërinë gjeopolitike si detyrim moral, ndërsa politikanë dashamirës kërkojnë “bekimin” e Moskës për t’iu kundërvënë normave perëndimore duke ndërtuar një strategji të koordinuar që përdorë levat digjitale, fetare dhe politike të ndikimit.
Pesha e kësaj dinamike është e qartë për Ballkanin dhe Perëndimin. Ndikimi rus nuk është më abstrakt, ai shfrytëzon plagë historike, konservatorizëm shoqëror dhe institucionet e brishta për të ngulitur një model joliberal qeverisjeje. Përmes organizatave ekstremiste, rrjeteve fetare dhe elitave politike dashamirëse, Moska po eksporton vetë planin themelor të sistemit të saj autoritar: autoritet të centralizuar, pluralizëm të kufizuar dhe shkrirjen e pushtetit kulturor me atë politik në një rajon që ende përpiqet të arrijë konsolidim demokratik. Kuptimi i kësaj dinamike është thelbësor për mbrojtjen e normave demokratike dhe procesit të integrimit në BE, në një rajon nën kontestim aktiv ideologjik.
Në Ballkanin Perëndimor, sot, ndikimi i Rusisë nuk është një abstraksion i largët. Përkundrazi, është një forcë e prekshme që formëson zgjedhje, polarizon shoqëri dhe ngulitet brenda lëvizjeve ekstremiste që pretendojnë afinitet kulturor dhe mision politik. Nga Beogradi në Banja-Llukë e Shkup, strategjia e Moskës ka evoluar në një fushatë shumështresore që ndërthur identitetin kulturor, përkatësinë ortodokse, rrjetet ekstremiste dhe operacionet e ndikimit. Është një plan për eksportimin e një modeli qeverisjeje të rrënjosur në autoritet të centralizuar dhe rezistencë ndaj normave të demokracisë liberale.
Konturat e këtij ndikimi u bënë dukshëm të qarta në shtator 2025, kur grupe neo-naziste dhe të së djathtës ekstreme nga e gjithë Evropa u mblodhën në Shën Petersburg nën patronazhin e Kishës Ortodokse Ruse për të themeluar Ligën Ndërkombëtare Sovraniste. Forza Nuova e Italisë, Agimi i Artë i Greqisë dhe grupe ultranacionaliste serbe si “Rojet e Popullit” dhe “Aksioni Serb” morën pjesë krahas oligarkut-ideolog, Konstantin Malofeev, dhe mendimtarit nacionalist rus, Aleksandr Dugin. Misioni i Ligës, “mbrojtja e vlerave të bardha të krishtera” kundër dekadencës perëndimore, ilustroi se si rrjetet e lidhura me Kremlinin ofrojnë platforma për ideologji ekstremiste, duke i veshur ato me legjitimitet fetar. Siç vuri në dukje United24 Media, “grupeve të së djathtës ekstreme iu dha miratimi moral nga Kisha, duke i shndërruar efektivisht agjendat radikale politike në një formë detyrimi shpirtëror/fetar”.
Larg të qenit të izoluara, këto rrjete përfitojnë nga aleatë dhe lehtësues brenda Bashkimit Evropian, të cilët u japin legjitimitet dhe hapësirë për qarkullimin e ideve. Kryeministri hungarez, Viktor Orbán, ka luajtur një rol veçanërisht lehtësues në këtë ekosistem. Ai organizon tubime, si Forumi Demografik i vitit 2023 në Budapest, që tërheqin aktorë rajonalë të së djathtës ekstreme, politikanë ultranacionalistë dhe ideologë simpatizantë të një botëkuptimi shoqërisht konservator. Duke ofruar platforma me profil të lartë dhe mbulesë të butë diplomatike, Orbáni ka forcuar lidhjet mes ekstremistëve të Ballkanit Perëndimor dhe homologëve të tyre evropianë, duke normalizuar efektivisht një model qeverisjeje shoqërisht konservatore dhe autoritare që pasqyron atë të Rusisë.
Ky zhvillim ka implikime më të gjera. Rritja e lëvizjeve të së djathtës ekstreme në mbarë Evropën, të cilat hapur admirojnë ose imitojnë modelin politik rus, i sinjalizon rajonit se joliberalizmi është një shabllon i zbatueshëm dhe elektoralisht i suksesshëm. Kjo i inkurajon aktorët lokalë të refuzojnë normat e BE-së mbi pluralizmin, liritë civile dhe të drejtat e pakicave, duke e bërë shumë më të lehtë operacionalizimin e operacioneve të ndikimit të Kremlinit në shtete që tashmë përballen me institucione të dobëta dhe fragmentim politik.
Këto dinamika nuk janë thjesht simbolike. Në mbarë Ballkanin Perëndimor, rrymat ekstremiste dhe pro-ruse e kanë shndërruar afërsinë ideologjike në ndikim konkret politik, duke formësuar zgjedhje lokale dhe debate kombëtare të politikave.
Këto rryma ekstremiste transnacionale kanë gjetur terren pjellor në politikën rajonale. Në zgjedhjet lokale të Maqedonisë së Veriut në vitin 2025, parti si “Maqedonia e Bashkuar” bën fushatë kundër integrimit në BE dhe NATO, duke u thirrur në sovranitet dhe ruajtjen kulturore, ndërsa apeluan te biznesmenë dhe rrjete ideologjike të përafruara me Moskën. Në Serbi, refuzimi i qeverisë për të vendosur sanksione ndaj Rusisë, pas luftës kundër Ukrainës, ka forcuar koalicione politike të brendshme që simpatizojnë narrativat e Kremlinit. Grupe ultranacionaliste si partia serbe “Betimtarët” kanë fituar përfaqësim parlamentar dhe tashmë bashkëpunojnë me Partinë Progresive Serbe në pushtet, duke normalizuar një platformë anti-perëndimore dhe duke promovuar legjislacion që kufizon shoqërinë civile.
Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë ofron një tjetër shembull të fortë. Milorad Dodiku, ish-president i Republikës Srpska, ka udhëtuar vazhdimisht në Moskë për të riafirmuar qëndrime pro-ruse, ndërkohë që ka penguar reformat në nivel shtetëror dhe ka promovuar retorikë secesioniste. Në shkurt 2025, qeveria e Dodikut miratoi një “ligj për agjentët e huaj”, i modeluar drejtpërdrejt sipas legjislacionit rus, për të kufizuar median e pavarur dhe organizatat joqeveritare duke institucionalizuar një taktikë që Moska e ka përdorur brenda vendit për të shtypur kundërshtarët dhe mospajtimin shoqëror.
Përtej legjislacionit, ndikimi rus në Ballkan lulëzon në jetën qytetare dhe kulturore. Serbia përjetoi disa nga protestat më të mëdha të dekadave të fundit në vitin 2025, me qindra mijëra qytetarë që kërkonin llogaridhënie për korrupsionin dhe dështimet e qeverisjes. Në vend që të adresonin ankesat, autoritetet i etiketuan këto protesta si “revolucione me ngjyra” të orkestruara nga fuqi të huaja – një narrativë e marrë drejtpërdrejt nga operacionet informative ruse. Media ruse dhe ato serbe të lidhura me shtetin e amplifikuan këtë propagandë, duke e paraqitur angazhimin qytetar si kërcënim ekzistencial të manipuluar nga Brukseli ose Uashingtoni.
Institucionet fetare janë shfaqur ndër bartësit më efektivë të narrativave të përafruara me Kremlinin. Kisha Ortodokse Serbe, thellësisht e ngulitur në jetën politike, vepron si një amplifikator i fuqishëm i sentimentit pro-rus, duke i kornizuar zgjedhjet gjeopolitike si beteja kulturore dhe duke e pozicionuar Moskën si mbrojtësen e qytetërimit ortodoks. Siç shpjegonte një artikull në New Union Post, “autoriteti fetar në Ballkan nuk është simbolik. Ai mobilizon votues, legjitimon qëndrime politike dhe amplifikon narrativa që përputhen me interesat strategjike ruse”. Udhëheqësit ekstremistë e shfrytëzojnë këtë platformë fetare për të normalizuar retorikën ultranacionaliste dhe anti-perëndimore, duke e paraqitur atë si mbrojtje të traditës, e jo si ideologji.
Edhe jashtë rrjeteve ortodokse, strategjia e Moskës përshtatet me kontekste të tjera sociopolitike. Hulumtimet tregojnë se aktorë pro-rusë kanë bashkëpunuar herë pas here me organizata islame në Ballkan, duke promovuar narrativa të rezistencës ndaj imperializmit kulturor perëndimor. Fleksibiliteti i këtyre rrjeteve nënvizon fokusin e Moskës jo thjesht mbi ideologjinë, por mbi ndërtimin e aleancave strategjike në një gamë të gjerë mjedisesh shoqërore.
Një model i qartë qeverisjeje i bashkon këto ndërhyrje. Rusia eksporton një kombinim të autoritetit të centralizuar, pluralizmit të kufizuar dhe tradicionalizmit kulturor, duke demonstruar se si pushteti autoritar mund të shoqërohet me kontroll shoqëror të kornizuar si detyrim moral. Aty ku institucionet janë të dobëta, shoqëria civile e kufizuar dhe frustrimi ekonomik i lartë, ky model gjen terren pjellor. Ai normalizon idenë se devijimi nga normat e përafruara me Moskën kërcënon jo vetëm rendin politik, por edhe mbijetesën kulturore.
Vendimmarrësit evropianë i kanë njohur këto dinamika. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dënoi “sulmet hibride të Rusisë që synojnë destabilizimin e demokracive në Ballkanin Perëndimor”, duke theksuar rëndësinë e forcimit të institucioneve demokratike dhe mediave të pavarura për t’i rezistuar ndërhyrjeve të jashtme. Udhëheqësit rajonalë i përsërisin këto shqetësime, duke paralajmëruar se ndikimi i vazhdueshëm i Moskës mund të rrezikojë paqen, përparimin demokratik dhe kredibilitetin e proceseve të anëtarësimit në BE.
Ndikimi i Rusisë në Ballkanin Perëndimor pasqyron një strategji të qëllimshme dhe adaptive, që integron organizata ekstremiste, autoritet fetar dhe instrumente legjislative në një model koherent të ndikimit politik. Në vend që të eksportojë vetëm ideologji, Moska promovon një sistem qeverisjeje të karakterizuar nga autoritet i centralizuar, pluralizëm i kufizuar dhe tradicionalizëm kulturor.
Teksa këto praktika institucionalizohen përmes zgjedhjeve, rregullimit të mediave dhe kufizimeve ndaj shoqërisë civile, ato riformësojnë normat dhe pritshmëritë politike në rajon. Rezultati nuk janë ndërhyrjet episodike, por normalizimi gradual i qeverisjes joliberale në shoqëri tashmë të shënuara nga brishtësia institucionale dhe konflikte identitare të pazgjidhura. Kjo trajektore sugjeron se roli i Rusisë në Ballkan do të mbetet një faktor i qëndrueshëm në formësimin e evolucionit politik të rajonit.
(Autori shërbeu si shef i stafit të presidentes së Kosovës (2021-2023) dhe ka doktoruar për Studime Evropiane Bashkëkohore në Universitetin e Saseksit. Ky shkrim fillimisht është botuar nga “Jamestown Foundation” në gjuhën angleze)