Barcelona vazhdon të jetë e interesuar ta shndërrojë huazimin e Marcus Rashford në një transferim të përhershëm gjatë kësaj vere, pasi është e impresionuar nga paraqitjet e tij që prej ardhjes nga Manchester United.
Sulmuesi anglez ka bërë mjaftueshëm për ta bindur klubin se i përshtatet planeve afatgjata të trajnerit Hansi Flick, megjithatë klauzola e blerjes prej 30 milionë eurosh mbetet pengesa kryesore.
Manchester United e ka bërë të qartë se nuk do të pranojë asgjë më pak se 30 milionë euro.
Barcelona, duke pasur parasysh rregullat e “fair play”-it financiar dhe pagën e lartë të Rashfordit, po shqyrton mënyra kreative për ta strukturuar transferimin.
Një nga opsionet është zgjatja e huazimit edhe për një sezon tjetër, duke paguar një pjesë të shumës menjëherë dhe pjesën tjetër më vonë, për ta bërë transferimin e përhershëm vitin e ardhshëm.
Sipas gazetarit Fernando Polo, situata ushtron presion të madh mbi vetë lojtarin.
“Çelësi i marrëveshjes për Rashfordin: United kërkon 30 milionë ose asgjë. Barcelona po llogarit gjithçka në kuadër të ‘fair play’-it financiar”.
“Dhe mes kësaj shume transferimi dhe pagës së lartë, që nuk është e vogël, kostoja rritet shumë”.
“Prandaj, Rashford duhet të dëshmojë se është vendimtar për të qëndruar, ose të pranojë ulje page”, ka deklaruar Polo./Telegrafi/