Rezultati në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, ka bërë që Lidhja Demokratike e Kosovës dhe lidershipi i saj të jenë në qendër të kritikave.
Së fundmi pakënaqësitë kanë filluar të shpërfaqen në publik edhe nga anëtarë e ish-anëtarë të këtij subjekti.
Ish-deputeti i LDK-së, Blerim Grainca ka reaguar publikisht duke kërkuar ndryshim dhe unifikim urgjent brenda LDK-së.
Sipas tij, zhvillimet e brendshme po e pengojnë reformimin e partisë.
“LDK-ja ka nevojë urgjente të ndryshojë dhe të unifikohet”, ka deklaruar Grainca, duke akuzuar një grup brenda partisë se po e bllokon këtë proces.
“Gupi i mashtruesve, sorosistëve dhe humbësve të tri palë zgjedhjeve, si dhe shërbëtorët e partive të tjera brenda LDK-së, po e pengojnë ndryshimin”, është shprehur ish-deputeti.
Grainca ka theksuar se LDK-ja nuk duhet të dorëzohet përballë asaj që ai e quan krim dhe ka bërë thirrje për veprim të menjëhershëm politik brenda partisë.
“LDK-ja nuk mund të dorëzohet para krimit”, ka përfunduar ai.
Ky reagim vjen ndërsa brenda LDK-së kanë shpërthyer debate të forta pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ku partia u rendit e treta me një rënie të dukshme të votave.
Ishte kandidatja për deputete, Shqipe Pantina, e cila kritikoi drejtpërdrejt udhëheqjen e LDK-së duke thënë se “u fokusua shumë në opozitë ndaj Qeverisë Kurti dhe la pas dore ofrimin e një alternative konkrete për qytetarët”.
Pantina gjithashtu vuri në pikëpyetje reformën e nisur nga kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, duke deklaruar se “reforma është lënë në gjysmë” dhe se vendimet e fundit për pozicionimin e individëve pa përvojë politike “kanë krijuar rezistencë brenda partisë”.
Komentet e Pantinës shkaktuan reagime brenda radhëve të LDK-së, ku kandidati për deputet Sokol Havolli e sulmoi atë nëpërmjet një postimi, duke sugjeruar se ajo po i bënte “goditje pas shpine” partisë dhe se kritikat e saj reflektojnë dështime politike personale. /Telegrafi/