Neuropsikiatri Bujar Berisha dhe defektologu, Safet Blakaj gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital kanë folur për shenjat e hershme që tregojnë se një i ri mund të ketë filluar përdorimin e substancave narkotike, duke theksuar rolin vendimtar të familjes në identifikimin dhe trajtimin e problemit.
Berisha tha se momenti kur familja fillon të vërejë ndryshime të dukshme në shtëpi është një pikë kthese.
“Kur e kupton familja, atëherë e bën një bilanc: çka ka humb në shtëpi, çka është vjedhë dhe çka mungon. Dhe aty e dimë që është legalizu problematika”, është shprehur ai.
Këto shenja, sipas Berishës, tregojnë se situata ka kaluar në një fazë më serioze dhe kërkon reagim të menjëhershëm.
Ai theksoi se në këto raste familjarët duhet ta dërgojnë personin në trajtim profesional, pasi ndërhyrja e hershme rrit gjasat për rehabilitim të suksesshëm.
Edhe, defektologu Blakaj ka folur për indikatorët që shfaqen në ambientin shkollor.
Sipas tij, rënia e menjëhershme e suksesit në mësime dhe shtimi i mungesave për një periudhë tre deri në katër muaj apo më shumë janë sinjale të forta paralajmëruese.
“Më e sigurta është kur një nxënës për një kohë të shkurtër, tre-katër muaj e më tepër, bie rezultati në mësim e posaçërisht mungesat. Kjo është shumë indikative, domethënë gjasat janë shumë të mëdha që ka fillu me drogë”, ka thënë Blakaj.
Ai shtoi se, megjithatë, këto ndryshime mund të lidhen edhe me probleme emocionale apo sfida të tjera psikologjike, por edhe ato kërkojnë vëmendje dhe mbështetje profesionale.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”:
– YouTube www.youtube.com