Inter arriti një fitore 3-2 ndaj Juventus, por e gjithë vëmendja mbeti te kartoni i kuq i dhënë për mbrojtësin francez Pierre Kalulu.
Incidenti ndodhi në minutën e 40-të, kur Alessandro Bastoni simuloi pas një kontakti të lehtë me Kalulu. Gjyqtari kryesor, Federico La Penna, e ndëshkoi francezin me kartonin e dytë të verdhë, duke e përjashtuar nga ndeshja.
Vendimi ka shkaktuar kritika të shumta në Itali, përfshirë edhe nga Gianluca Rocchi, drejtues i sektorit të gjyqtarëve në vend. Rocchi konfirmoi se vendimi ishte i gabuar dhe shprehu keqardhjen për episodin.
“Na vjen shumë keq për episodin: si për vendimin e La Penna-s, që është qartësisht i gabuar, ashtu edhe për faktin që nuk mundëm të përdornim VAR-in për ta korrigjuar.”
Ai shtoi gjithashtu: “La Penna është i dëshpëruar dhe ne i qëndrojmë pranë, por duhet t’ju them të vërtetën: nuk është i vetmi që gaboi, sepse dje pati një simulim të qartë. I fundit në një seri të gjatë në një kampionat ku përpiqen në çdo mënyrë të na mashtrojnë”, tha Rocchi.
Ky incident ka ndezur debatet mbi përdorimin e VAR-it dhe vendimet e gjyqtarëve në Serie A, ndërsa Interi vazhdon të festojë fitore ndaj një rivali tradicional si Juventus. /Telegrafi/