Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit ka paralajmëruar SHBA-të se do të përballen me një Vietnam tjetër nëse dërgojnë ushtarë në terren në luftë.
Saeed Khatibzadeh, duke folur në zyrën e tij në Teheran, ka thënë se Irani ishte i gatshëm të luftonte për aq kohë sa të ishte e nevojshme dhe vendi aktualisht nuk ishte i përqendruar në një zgjidhje diplomatike, shkruan SkyNews, përcjell Telegrafi.
Zëvendësministri i jashtëm nuk i përjashtoi negociatat, por e bëri të qartë se ishte detyrë e Amerikës dhe aleatëve të saj të paraqitnin një propozim që i jep fund konfliktit një herë e përgjithmonë.
Por, kur u pyet për mundësinë e trupave amerikane në terren, mesazhi i tij për Donald Trump ishte i qartë: “Thjesht lexoni se çfarë ndodhi në Vietnam”.
Ushtarët amerikanë, tha ai, mund të përballen me një fat të ngjashëm në Iran: “Ata e kuptojnë se ata që i tërhoqën në këtë luftë mund t’i tërheqin edhe ata në një situatë tjetër të vështirë”.
Deklarata e tij vjen pas dy javësh konflikti shkatërrues që ka lënë gati 1,500 iranianë të vrarë në luftën me SHBA-në dhe Izraelin dhe miliona iranianë të zhvendosur.
Khatibzadeh fajësoi gjithashtu kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për tërheqjen e SHBA-së në luftë.
“Ata duhet të mendojnë dy herë kur merren me Iranin dhe të mos marrin këshilla nga ata që nuk e njohin Iranin, të cilët donin për dekada të tëra të fitonin një luftë kundër Iranit me taksapaguesit amerikanë dhe gjakun e ushtarëve amerikanë”.
Ndërsa sa i përket shëndetit të Udhëheqësit të ri Suprem të Iranit, Mojtaba Khamenei, zëvendësministri i jashtëm këmbënguli se ai është “i shëndetshëm dhe në krye të detyrës” pavarësisht se nuk është shfaqur ende publikisht. /Telegrafi/