Rekomandimet për vaksinat kundër gripit, rotavirusit, meningokokut dhe hepatitit A janë hequr pa shqyrtim të jashtëm shkencor – ekspertët paralajmërojnë pasoja të rënda për shëndetin e fëmijëve
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë hequr rekomandimin shumëvjeçar për vaksinimin e detyrueshëm të të gjithë fëmijëve kundër gripit, rotavirusit, sëmundjes meningokokale dhe hepatitit A, duke ia lënë vendimin prindërve në konsultim me profesionistët shëndetësorë në kuadër të vendimmarrjes së përbashkët klinike. Ky hap përfaqëson realizimin e një prej qëllimeve afatgjata të ministrit të Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr.
Këtë masë e ka miratuar ushtruesi i detyrës së drejtorit të Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), Jim O’Neil, pa shqyrtimin e zakonshëm të jashtëm nga ekspertët e agjencisë. Rekomandimet e reja kanë shënuar vazhdimin e fushatës së Kennedy-t për uljen e vaksinimit të fëmijëve.
Presidenti amerikan Donald Trump kishte bërë thirrje që në dhjetor të vitit të kaluar që SHBA-të të “përshtateshin me vendet e tjera të zhvilluara”, ndërsa tani ka deklaruar se kalendari i ri i vaksinimit është “i bazuar në standardin e artë të shkencës”.
Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump e ka përgëzuar Kennedy-n dhe zyrtarë të tjerë shëndetësorë për këtë ndryshim.
“Shumë amerikanë janë lutur për vite me radhë për këto reforma të ARSYES SË SHËNDOSHË. Faleminderit që i kushtuat vëmendje këtij problemi!”, ka shkruar Trump, duke iu referuar lëvizjes së Kennedy-t “Ta bëjmë Amerikën sërish të shëndetshme” (MAHA).
Kennedy, kritik i njohur i vaksinave, ka udhëhequr edhe më herët përpjekjet për heqjen e rekomandimeve universale për vaksinimin e fëmijëve kundër COVID-19 dhe hepatitit B, duke pretenduar se vaksinat lidhen me autizmin, pohime që shkencëtarët i kanë hedhur poshtë vazhdimisht, trasnmeton Telegrafi.
Paralajmërimet e ekspertëve për pasojat e mundshme
Ekspertët e shëndetit publik kanë paralajmëruar se heqja e këtyre rekomandimeve mund të çojë në shtrime në spital dhe vdekje që mund të ishin parandaluar.
Michael Osterholm, drejtor i Qendrës për Kërkime mbi Sëmundjet Infektive në Universitetin e Minesotës, ka deklaruar se duhej të ishte zhvilluar një debat publik mbi rreziqet dhe përfitimet, si dhe mbi ndikimin e mundshëm të heqjes së rekomandimeve.
Presidenti i Akademisë Amerikane të Pediatrisë, Sean O’Leary, ka theksuar se vendet e tjera të zhvilluara përballen me rreziqe të ndryshme sëmundjesh dhe kanë sisteme shëndetësore të ndryshme krahasuar me SHBA-të. Ndryshe nga SHBA-të, të cilat mbështeten në kujdesin shëndetësor privat, shumica e vendeve ofrojnë kujdes shëndetësor bazë universal të financuar nga shteti.
“Çdo vendim për kalendarin amerikan të vaksinimit të fëmijëve duhet të bazohet në prova shkencore, transparencë dhe procese të vendosura shkencore, e jo në krahasime që anashkalojnë dallimet thelbësore ndërmjet vendeve apo sistemeve shëndetësore”, ka thënë ai.
Rëndësia e vaksinimit për shëndetin e fëmijëve
Secila nga vaksinat e përmendura ka parandaluar sëmundje që dikur shkaktonin shtrime të panevojshme në spital dhe vdekje te fëmijët, ka vlerësuar Jesse Goodman, profesor në Universitetin Georgetown dhe ish-shkencëtar kryesor i FDA-së.
Vaksinimi kundër gripit ka ndihmuar në parandalimin e vdekjeve të fëmijëve nga gripi, i cili gjatë sezonit 2024–2025 ka shkaktuar vdekjen e 288 fëmijëve, sipas të dhënave të CDC-së. Hepatiti A, që prek mëlçinë, zakonisht kalon vetë, por ka çuar edhe në shtrime në spital dhe dëmtime të përhershme të mëlçisë.
Rotavirusi, që shkakton diarre dhe dehidratim, më parë dërgonte dhjetëra mijëra fëmijë çdo vit në spitale, por vaksinat i kanë bërë këto raste jashtëzakonisht të rralla, ka theksuar Goodman.
Edhe pse meningjiti, një infeksion bakterial i trurit, është shfaqur rrallë te fëmijët, rreth 15 për qind e të infektuarve nuk kanë reaguar ndaj antibiotikëve dhe kanë humbur jetën, ka shtuar ai.
Rekomandimet e përditësuara kanë ruajtur imunizimin kundër 11 sëmundjeve, përfshirë fruthin, shytat dhe linë e dhenve, ndërsa vaksinat e tjera janë klasifikuar si të destinuara për grupet me rrezik të lartë ose në kategorinë e vendimmarrjes së përbashkët, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimeve Sociale. /Telegrafi/