E guximshme dhe plot energji, kjo nuancë po rikthen freskinë në veshjet pranverore. Ja si ta përdorni pa gabime dhe ta bëni pjesë të stilit tuaj
Shartrez, kjo përzierje mes të verdhës dhe të gjelbrës, ka pushtuar pasarelat dhe stilin e rrugës. Edhe pse në shikim të parë duket e guximshme dhe sfiduese, në të vërtetë kjo ngjyrë sjell freski dhe energji në çdo veshje. Ajo jep pikërisht atë që i duhet modës së pranverës – gjallëri, optimizëm dhe ndjenjë të re pas muajve të gjatë të zymtë.
Ky emër i veçantë nuk është i ri. Ai lidhet me manastirin Grand Chartreuse në Alpet franceze, pranë Grenoblës, dhe me pijën e njohur që prodhohet aty. Që nga shekulli i 18-të, murgjit përgatisin një liker bimor me të njëjtin emër, i cili ekziston në dy variante: i gjelbër dhe i verdhë me nuanca të gjelbra. Pikërisht kjo e fundit po dominon këtë sezon.
E vendosur “diku në mes”, kjo ngjyrë ka një karakter të fortë dhe bie menjëherë në sy. Nuk është e qetë dhe as neutrale. Ose do t’ju pëlqejë menjëherë, ose do ta shmangni. Në çdo rast, nuk kalon pa u vënë re. Nëse jeni të guximshëm, do t’ju nxisë të eksperimentoni, transmeton Telegrafi.
Kjo nuancë energjike po shfaqet gjithandej këtë pranverë, ndërsa më parë shkëlqeu në pasarela – nga Pradina me bluzat, Alaia me fundet asimetrike, Valentino me pantallonat e gjera, si dhe në koleksionet e Chanel, Balenciaga, Loewe dhe Burberry. Ajo u shfaq si kundërvënie ndaj valës së zakonshme të ngjyrave të zbehta dhe la përshtypje të fortë sidomos në Paris.
Shartrez është aq e veçantë, sa nuk kërkon shumë mendim për kombinim. Është e përshtatshme në mënyrë të habitshme: mund ta bashkoni me nuanca të tjera të çelëta, me tone kremi, por edhe me kafe të errët apo të zezë, që është një nga kombinimet më të pëlqyera sot. Një çantë, këpucë apo xhaketë e zezë e thekson këtë ngjyrë dhe e bën më të lehtë për t’u përdorur.
Një tjetër mundësi është kombinimi me lëkurë të butë dhe tone të bardha të zbehta, që i japin veshjes një pamje njëkohësisht elegante dhe të çlirët, një prirje që po dominon aktualisht dhe pritet të vazhdojë edhe më tej.
Nëse nuk jeni gati për një fustan apo kostum në këtë ngjyrë të fortë, filloni me hapa të vegjël: një çantë, rrip, këpucë apo shall mund ta freskojnë menjëherë veshjen. Po aq efektive është edhe kur përdoret në detaje – si pjesë e brendshme e palltos, si motiv apo si ngjyrë këpucësh.
Edhe pse shpesh konsiderohet si ngjyrë e “vështirë”, shartrez është më e përdorshme sesa mendoni. Mjafton ta përdorni me zgjuarsi. /Telegrafi/